Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar edhe një herë se çdo qytetar që shkel rregullat e vendosura për të parandaluar përhapjen e COVID-19 do të ndëshkohet.

Me anë të një postimi në “Facebook”, ai tregoi se zgjerimi i fashës orare nuk do të thotë se mjetet e autorizuara mund të lëvizin kur të duan.

Ata duhet që vajtjen në punë ta kryejnë në fashën orare 05.00-08.00. Ndërsa për kthim janë në dispozicion oraret 16.00-17.30.

“🔴 DURIM DHE KUJDES, ÇDO HAPJE DO TË SHOQËROHET ME TOLERANCË ZERO PËR ABUZIMET

Duke konsideruar urdhërin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 256, datë 10 prill 2020, ku është zgjeruar fasha orare e lejuar për qarkullimin e automjeteve nga ora 05:00 deri në 17:30, Policia e Shtetit tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të kategorive të lejuara dhe të autorizuara dhe sqaron që kjo fashë orare nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve të mësipërme. Është e lejuar vajtja në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-8:00 dhe kthimi nga puna në fashën e dytë orare 16:00-17:30. Lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen me penalitetet përkatëse.”

Në postim, kreu i qeverisë theksoi se do të merren masa edhe për qytetarët që nuk zbatojnë rregullat në lagje.  

“Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit ka marrë masa duke nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *