Rama: Të sekuestrohen ose të shemben katet pa leje mbi pallate
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ndërtesat shumëkatëshe që janë ndërtuar duke shkelur ligjin duhen sekuestruar ose shembur.
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, kreu i qeverisë u shpreh se një pjesë e objekteve të ndërtuara në Tiranë dhe qytete të tjera nuk kanë lidhje me lejet e ndërtimit të miratuara. Sipas tij, nëse do të ishin zbatuar projektet e miratuara, qytetet, nga pikëpamja urbanistike, do të ishin më cilësore.
“Ajo që ka ndodhur historikisht dhe që ka sjellë dhe situatën e papranueshme të pamundësisë të qindra-mijëra familjeve për të zotëruar pronën e tyre, është tejkalimi i kornizës së ndërtimit. Kate e shtesa anësh. Arkitektët janë të fundit qe firmosin në projekt. Konstruktorët nuk mund të mos mbajnë përgjegjësi penale kur ndërtohen dhe 2 kate shtesë. E gjitha është e paligjshme, deri tek kriminale. Nuk janë shembur në Durrës godina që kanë respektuar parlamentet. Por godina që me leje ndërtimi janë bërë 3 kate dhe në fakt u ndërtuan 8 kate. Shto ujë e shto miell. Ato morën jetë njerëzish. Nuk mund të funksionojë dot jashtë përgjegjësisë penale ky sistem.”
Po ashtu, Kryeministri nuk la pa përmendur edhe grupin e ashtuquajtur “KÇK” (kap ça të kapësh), për të cilin tha se ka gjunjëzuar shtetin dhe ka favorizuar ndërtuesit.
“Me gjykatë ata kanë gjunjëzuar shtetin. KÇK nuk e ka lejuar këtë. Por e ka gjunjëzuar shtetin dhe ka favorizuar ndërtuesit. Ajo çka duhet bërë taksative është se çdo volum i ndërtuar për qëllim fitimi, pra flasim për godina me shumë njësi, duhen ose shembur ose sekuestruar për qëllime sociale. Nuk mund të jenë më pronë e atyre që e kanë ndërtuar.”




