Rama tallet me Bashën: Kur u shemb Teatri, ishte në gjumë duke ëndërruar sikur kishte triumfuar

Kryeministri Edi Rama nuk kurseu talljet dhe ironitë me opozitën që ka dalë në mbështetje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Gjatë fjalës së mbajtur në Parlament, Rama deklaroi se opozitarët ishin në gjumë duke ëndërruar sikur kishin fituar në momentin që godina e Teatrit u rrënua.
“Do të hapemi, por jo si tek Teatri, ku papritur u turrën turma si sheshi tek përsheshi. Turma e përgatitur prej shumë kohësh që e kishte hipotekuar prej 2 vjetësh e gjysmë atë godinë si këshjellën prej ku do të organizonte sulmin final vendimtar mbi regjimin. Mirëpo, çdo njeri ka një dobësi. Dobësitë njerëzore dalin me shpirtin. E kur dobësia është që mbi të gjitha vjen gjumi dhe kapesh në gjumë teksa je duke ëndërruar se tanimë ke triumfuar dhe hap sytë dhe sheh që kalaja tashmë ka rënë, ka dhimbje, ka dëshpërim. Dhe është një dëshpërim i pangushëllueshëm.”
Sipas Ramës, qeveria e mëparshme ishte angazhuar ta bënte Teatrin e ri Kombëtar tek Piramida, por nuk bënë asgjë. Ndërsa në territorin e Teatrit ishte parashikuar të ngrihej “Plaza Shopping”.
“Qeveria e atyre që sot kanë rënë si faja nga fiku dhe tani u është këputur llastiku ishte angazhuar për të ndërtuar teatrin e ri tek piramida dhe unë kryetar bashkie kam pritur në zyrë një dërgatë investitori shumë të njohur. Por unë nuk e kam zakon të përdor kurrë emra njerëzish e biznesmenësh sepse unë nuk jam rrugaç, vetëm rrugaçët e përdorin mikrofonin, foltoren për të sulmuar njherëz me emër e me mbiemër. Ky investitor bashkë me një grup gjermanësh kanë ardhur në zyrën time dhe më kanë paraqitur projektin e Plaza Shopping në truallin e Teatrit Kombëtar. Projekti ishte i bukur. I thash shumë i bukur projekti, por këtu do të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar. E bukura është që nuk u bë ajo, por nuk u bë as ai, teatri tek Piramida.”




