Rama në Peshkopi: Votën duhet ta marrin ata njerëz që bëjnë punët më mirë

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Peshkopi ku zhvilloi një takim elektoral me gratë dhe vajzat dibrane. Kryeministri Rama foli për votën, që sipas tij duhet ta marrin ata njerëz që bëjnë punët më mirë. Duke ironizuar, Rama tha se që kur ka takuar Bashën edhe ai është bërë demokrat.
“Në fund të ditës vota është për të marrë në punë grupin e njerëzve që do të kryejnë më mirë sipas teje punët që ti ke nevojë. Po e marr nga fëmijët, duke menduar për gjithë prindërit që janë demokratë, demokratë jemi të gjithë ne, sidomos pasi takova dhe Lulin edhe unë demokrat jam. Por po flasim për ata që janë me bindje të djathta, që unë nuk e di se çfarë domethënë kjo, por nejse dhe do shkojnë të votojnë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u bëri thirrje grave që të votojnë Partinë Socialiste nëse duan që punët në vend të vazhdojnë. “Si mundet një prind që të votojë për Lulin kryeministër, kur ai s’bën asnjë punë. E kishte Sahatin e Tiranës, 4 metra nga zyra kur ishte kryebashkiak, dhe në 4 vite Sahati nuk punoi. Pse? Se Luli ka sahatin e vet. Me Lulin kryeministër sahati 12 do na rrijë,” tha Rama.
Ai gjithashtu vlerësoi rolin e gruas në shoqëri gjatë fjalës së tij, dhe tha se pa gratë burrat nuk mund të bëjnë asgjë. “Kam bindjen që Shqipërinë e kanë marrë në qafë burrat, jo gratë. Eksperienca në punë, më ka aprovuar se sa shumë ka pasur Çajupi kur thoshte pika që s’u bie burrave se nga gratë rrojnë. Pas rënies së diktaturës dhe rrugës për demokraci e ka stërprovuar që problemi janë burrat, jo gratë. Jam i bindur që nuk ka burrë që edhe se nuk e pranon, që pa gratë në shtëpi, është i mbaruar. Edhe pse bëjnë si komandantë që i dinë të gjitha, e dinë që Ministri i Brendshëm është dikush tjetër, gruaja,” tha kryeministri.




