Edhe një herë tjetër, kryeministri Edi Rama mbylli “derën” e aleancës me LSI në zgjedhje. Gjatë aktivitetit “Deputeti që duam” në Fier, kreu i qeverisë e quajti LSI një ndërmarrje të degraduar, ndërsa nuk la pa “shigjetuar” as presidentin Ilir Meta.
“Sot nuk ka më asnjë mundësi të bashkëpunosh me ndërmarrjen e Ilir Metës. Është një ndërmarrje e rrënuar mes njërit që bën presidentin, por bën sekserin e kësaj ndërmarrje, dhe një tjetër që duhet të jetë zonja e parë, por bën menaxherin e kësaj ndërmarrje. Është kthyer në një komedi të madhe, për të qarë dhe për të qeshur.”
Opozita që do të ngjitet në pushtet, sipas liderit të PS, nuk ka reflektuar ende për gabimet që ka bërë kur e kishte këtë mundësi.
“Kjo është fuqia qeverisëse e PS, ky është dallimi i madh mes nesh dhe atyre që duan të rikthehen. Ata nuk kanë reflektuar mbi arsyet pse u larguan, por janë po ata. Sot situata është më tragji-komike për votuesit e tyre sepse rikthimi bëhet me një përpjekje për të paraqitur si dhëndër Lulin dhe më pas ju del një krushqi e re, Mona me Ilirin që do t’ju thonë ku është pjesa jonë. Ju e dini sa e ka pjesën Monika.”
Rama renditi investimet e bëra nga shumica socialiste në spitale dhe tha se kush shikon të kaluarën, mund të bëjë diferencën. Për të përfunduar punët e nisura dhe për të çuar Shqipërinë në drejtimin e duhur, tha Edi Rama, qytetarët duhet të votëbojnë PS në 25 prill. Nëse nuk ndodh kjo, kryeministri paralajmëroi se çdo gjë do të kthehet së prapthi.





