Kryeministri Edi Rama, gjithashtu kryetar i Partisë Socialiste, po prezanton sot programin e PS-së për Shqipërinë 2030, me të cilin do të kërkojë mbështetjen e shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit.
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, duke ofruar shqiptarëve mundësinë për të pasur pasaportën e BE-së, mbetet një prioritet kryesor i Partisë Socialiste në këtë fushatë elektorale.
Rama theksoi: “Çdo vit kemi ngritur emrin e Shqipërisë lart dhe lart. Tani kemi mundësi reale për t’u bashkuar me BE-në. Nuk është vetëm dëshira jonë, por edhe e BE-së që të na pranojnë. Po punojmë me intensitet për të mbyllur negociatat sa më shpejt. Kemi mundësinë historike t’i përfundojmë ato në 2027, dhe nuk duhet të humbim asnjë minutë, prandaj duhet të dërgojmë një mesazh të fuqishëm më 11 maj.”
Programi “Shqipëria 2030” i PS-së synon t’u ofrojë shqiptarëve një perspektivë reale, duke prezantuar një qeverisje të bazuar në strategji të qarta për çdo fushë të jetës.
Në zgjedhjet e 11 majit, Rama kërkon votën e shqiptarëve për një mandat të katërt.





