Subscribe

Sulmet e opozitës në adresë të kreut të Komisionit për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj, sipas të cilës vëllai i tij është i lidhur me narkotrafikun, kanë detyruar kryeministrin Edi Rama, të reagojë nga jugu i vendit, ku po kalon pushimet. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, si ideator të akuzave, kryeministri sheh paardhësin e tij Sali Berisha, të cilin e konsideron gojështhururin e madh, që çdo të enjte shkel Rregulloren e Kuvendit.

“Fatkeqësisht, ky abuzim i padëgjuar kurrëkund tjetër në botën demokratike, e ka kthyer Kuvendin e Shqipërisë në skenën e një gojështhurjeje të vajtueshme dhe kë më shumë e kë më pak në atë sallë, në viktimë të shprehjes popullore “kush fle me qenin gdhihet me pleshta!” – ndjesë kafshës së gjorë sepse, shumë sinqerisht, asnjë qen nuk e meriton të krahasohet me Gojështhururin e Madh të parlamentit shqiptar”

Rama argumenton se e gjithë fushata kundër Fatmir Xhafës nuk është aspak e rastësishme.

“Saliu e ka ndërmarrë fushatën e tij të ndyrë të radhës këtë herë, për të baltosur Fatmir Xhafajn! Dhe në stilin e tij të vjetër e të neveritshëm bolshevik, ka ngritur një akuzë mbi një histori të sajuar këmbë e krye, për të vëllanë e Fatmirit. Një histori me drogë venezuelane, për babain e dy fëmijëve që është në punën e tij të ndershme dhe ka vetëm një faj: Është vëllai i njeriut që drejton Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën më të rëndësishme dhe më të vështirë të 25 vjetëve të fundit!”

Kryeministri shkruan se reagimi vjen në respekt të punës e të përkushtimit të jashtëzakonshëm të Fatmir Xhafajt, për të çuar përpara Reformën në Drejtësi.

“Sot vendosa ta bëj, në respekt të dikujt tjetër; në respekt të punës e të përkushtimit të jashtëzakonshëm të Fatmir Xhafajt, për të çuar përpara Reformën në Drejtësi, kundër dëshirës e vullnetit të shumëkujt dhe, pa asnjë dyshim, të Saliut në radhë të parë; i cili, jashtë dëshirës e vullnetit të tij, erdhi si çeço dhe e votoi paketën e Reformës Kushtetuese, pasi nuk la gur pa luajtur për ta sabotuar “happy end”-in e trillerit serial që u mbyll më 21 korrik”.

Shefi i ekzekutivit thotë se reagimi vjen jo për shkak të asaj çfarë thotë Sali Berisha dhe besueshmërisë së tij, por si solidaritet ndaj Xhafës dhe përbuzje ndaj fushatës së njeriut më të trembur në Shqipëri nga Reforma historike në Drejtësi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *