15 ministrat do të duhet të presin deri në javën e ardhshme nëse do të konfirmohen në detyrën e tyre apo do të zëvendësohen me emra të rinj, deputetë të dalë nga vota e 25 Prillit. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se jetëgjatësia e çdo ministri të ardhshëm do të varet nga përmbushja e objektivave për Shqipërinë e 2030-ës.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar, apo një kryesi efektive të vetë partisë, por edhe një stol rezervash të gjatë, siç i thonë në sportet kolektive, për të pasur në vijimësi mundësi energjizimi të skuadrës.

 

Ende pa renditur synimet e mandatit të tretë qeverisës, Edi Rama u kërkoi qytetarëve të vaksinohen dhe të mos u besojnë informacioneve të pabazuara në shkencë mbi vlefshmërinë e vaksinave, asaj amerikane Pfizer apo kineze Sinovac.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje të asistuar nga respiratorët nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar ndër rreth 80 persona të shtruar në spital nuk shfaqin shenja rëndimi të gjendjes që imponojnë intubimin, duke rrezikuar seriozisht edhe vetë jetën pastaj. Për skeptikët e vaksinës Sinovac, që kërkojnë medoemos vaksinë Pfizer, mbase vlen edhe e dhëna që në grupin e të vaksinuarve të shtruar në spital ndahen pothuajse gjysmë për gjysmë të vaksinuarit me Pfizer dhe Sinovac. Të mos humbasin kohë me mendimin e gabuar se Pfizer bën e Sinovac nuk bën, por të përfitojë një orë e më parë nga mundësia e vaksinimit për të gjithë.

 

Duke e quajtur etapë të mbyllur përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian per hapjen e negociatave anëtarësuese, kryeministri tha se edhe në katër vitet e ardhshme, “Ballkani i Hapur” do të jetë një nga pikat kryesore ku ai do të investohet për ta bërë funksional, me gjithë kundërshtinë e Kosovës.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Në thelb nuk është asgjë tjetër, përveçse Procesit të Berlinit  me një shpejtësi të re dhe me një përgjegjësi të re, pa pritur që për jetësimin e katër lirive të BE-së, lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve të kalojnë dhe nja 8 vjet të tjera, duke pritur që për çdo hap tjetër të kujtohen partnerët ndërkombëtarë. Polemikat për Ballkanin e Hapur dhe akuzat e hatashme ndaj kësaj qeverie dhe meje personalisht, qoftë nga Prishtina, qoftë nga Tirana, nuk më shqetësojnë fare dhe nuk duhet të na shqetësojnë aspak si forcë qeverisëse në mandatin e tretë. Ka shumë tym dhe shumë zjarr të ndezur për qëllime të politikës së ditës, por qeveria e re do të vazhdojë përpara edhe në këtë drejtim, pa humbur asnjë ditë të vetme, ndërkohë që ka besim se me qeverinë e Kosovës do të bëjmë plot punë të mira me interes të përbashkët, pavarësisht mosdakordësisë së kolegëve në Kosovë me Ballkanin e Hapur.

 

Si prioritete për qeverinë “Rama 3”, kryeministri përcaktoi si thelbësore rikthimin e sa më shumë shqiptarëve në atdhe, hapjen e një kapitulli të ri në krijimin e një policie që lufton më me efektivitet krimin, digjitalizimin edhe të atyre shërbimeve të mbetura për të luftuar korrupsionin, menaxhimin e mbeturinave, veçmas në zonat turistike dhe aktivizimin e fëmijëve dhe të rinjve në aktivitetet sportive dhe kulturore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *