Kreu demokrat, Lulzim Basha ka komentuar këtë të martë për herë të parë ngjarjen e ndodhur të dielën në Bularat, të Gjirokastrës ku mbeti i vrarë nga forcat RENEA, ekstremisti grek, Kostandinos Kaçifa.

 

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kreu demokrat teksa e cilësoi ngjarjen si kriminale, hodhi akuza në drejtim të mazhorancës se përmes ngjarjes së Bularatit po përpiqet të heq vëmendjen nga kriza e thellë ku ndodhet vendi.

 

Basha tha se kjo ngjarje po shfrytëzohet në të dyja anët e kufirit për axhendat politike.

 

“Kjo është një ngjarje kriminale dhe përpjekjet për ta kthyer në ngjarje politike i shërbejnë vetëm atyre që duan të largojnë vemendjen nga kriza e thellë ku ndodhet vendi në këtë anë të kufirit. Dhe pa dyshim ka aktorë nga ana tjetër e kufirit që duan ta shfytëzojnë për axhendën e tyre politike.”

 

Basha akuzoi kryeministrin Rama se po përpiqet të kapet pas gjithçkaje në mënyrë që të heq vëmendjen nga qeverisja me krimin.

 

“Në rastin e përpjekjes së Edi Ramës për të zhvendosur në mënyrë artificiale dhe me retorike të papranueshme kundër opozitës, një ngjarje e cila është kriminale dhe ashtu duhet trajtuar është tregues i gjendjes ku ndodhet ai dhe qeverisja e tij. Kërkon të kapet pas gjithckaje për të larguar vëmendjen nga fakti se ne sot nuk qeverisemi, por kemi një bandë që preokupim kryesor ka si të shpëtojë Ramën, Tahirin, Dakon, Gjiknurin etj, nga përgjegjësia për bashkëqeverisjen me krimin.”

 

Sipas Bashës, ngjarja e Bularatit ka të bëjë thjesht me një njeri të destabilizuar psikologjikisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *