Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me riatdhesimin e shqiptarëve që kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit si pasojë e pandemisë.

Në një postim në “Facebook”, kreu i qeverisë theksoi se nuk do të tërhiqet nga kushti i karantinimit të detyruar për 14 ditë në hotel. Sipas tij, kjo është e vetmja rrugë për të shkëputur zinxhirin e infektimit nga COVID-19 në territorin tonë.

Ai solli shembullin e Singaporit, ku për të, riatdhesimi i 500 studentëve dhe karantinimi i tyre në familje rriti ndjeshëm numrin e të prekurve.

“Një shembull konkret pse riatdhesimi në këtë fazë duhet të jetë absolutisht i kontrolluar: Singapori u mbajt si shembulli më fantastik i përballjes me epideminë, me numrin mē të vogël të të infektuarve e të të vdekurve për numër popullsie. Por gjërat u përkeqësuan kur u lejua riatdhesimi i pak më shumë se 500 studentëve, të cilëve i’u kërkua të vetëkarantinoheshin në familje, pa futur në karantinë gjithë familjen. Numri i të infektuarve u rrit ndjeshëm, përmes familjarëve të të riatdhesuarve dhe ky ishte një mësim, jo vetëm për Singaporin po edhe për vendet e tjera, të cilat fillimisht ulën ndjeshëm numrin e të riatdhesuarve, duke i detyruar të karantinohen në hotele dhe pastaj filluan të ndalonin fare riatdhesimet.”

Kryeministri siguron që paketa dhe kostoja financiare e riatdhesimit do të jetë e arsyeshme e optimale brenda kushteve ku po jetojmë.

“Ne do të rihapim rrugën e riatdhesimeve siç e kemi bërë publike dhe nuk do të tërhiqemi nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel! Por ju lutem të gjithë atyre të cilët nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë se pse, kjo rrugë është e vetmja dhe s’ka një rrugë tjetër për të mbrojtur popullin e vendin tonë nga një valë e re infektimi, që të paktën, përpara se sa të shajnë e të mallkojnë a thua se kjo është punë qejfi apo dëshire e qeverisë për t’ua vështirësuar riatdhesimin, të të bëjnë edhe njëçikë durim derisa ta shohin konkretisht paketën e riatdhesimit! I siguroj që paketa do të jetë shumë e arsyeshme për ta dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare e riatdhesimit, të jetë optimale brenda kushteve ku po jetojmë e po veprojmë të gjithë. Boll me sharje, me akuza, me hesape në hava e me mallkime, sepse kjo është koha që provon se sa di secili të jetë një shqiptar i mirë që sheh përtej hundës së vet dhe që nuk e kthen në argument mllefin apo mosinformimin për atë që flet!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *