Subscribe

Në darkën me ambasadorët e huaj në vendin tonë që u zhvillua në Elbasan, kryeministri Edi Rama deklaroi se viti i ardhshëm do të jetë kyç për Shqipërinë, ku do të zërë vendin e saj në janar si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.

 

Ai u ndal edhe të çështja e integrimit në BE, duke thënë se “kemi bërë gjithçka duhej, sërish e sërish, për të na dhënë dritën jeshile për hapin tjetër dhe sërish e sërish, na kanë penguar forca që janë përtej kontrollit tonë.” Megjithatë, ai theksoi se do të vazhdojë të bëjë gjithçka mundet, për ta bërë Shqipërinë çdo vit një shtet më të besueshëm, më funksional, më demokratik e më të ngjashëm me një anëtar të BE-në.

 

“Fitorja e një mandati të tretë rekord nuk më bëri të ndjehem i pamposhtur, por më i përulur se kurrë karshi njerëzve të Shqipërisë, të cilët na e dhanë besimin mua dhe partisë time, ndërkohë që me plot të drejtë presin më shumë prej nesh. Më lini të rrëfehem, për mua personalisht, fitorja ishte njëkohësisht e ëmbël dhe e hidhur. Ndjeva se nuk kishim bërë mjaftueshëm për të shëruar dasitë, në një vend të përndjekur ende nga e shkuara, ku lajmësi duhej vrarë përpara se sa të dëgjohej mesazhi e ku kundërshtari politik ende shihet, jo si një kundërshtar me të cilin duhet angazhuar, por si një armik që duhet shkatërruar. Pas një fitoreje të tillë, më përndjek më shumë se asnjëherë më parë, pafuqia e pushtetit për të ecur aq shpejt sa do të duhej me modernizimin e një vendi, i cili humbi aq shumë dekada përmes diktaturës e më pas rrumpallës, varfërisë absolute e më pas korrupsionit, nga shteti njëpartiak e më pas nga keqqeverisja. Kur këqyr shpejtësinë frenetike të kalimit të kohës në detyrë përkundrejt shpejtësisë së mundshme të ndryshimit në vend, ndihem tejet i sekëlldisur. E di që ritmi i ndryshimit nuk mund të jetë kurrë mjaftueshmërisht aq i shpejtë sa duhet për t’iu përgjigjur vorbullës së dekadave të mbushura me aspirata që u rritën si dëshira të penguara. Le të marrim BE-në. Kemi bërë gjithçka duhej, sërish e sërish, për të na dhënë dritën jeshile për hapin tjetër dhe sërish e sërish, na kanë penguar forca që janë përtej kontrollit tonë. Ky është një fakt jetësor dhe ndërkohë që ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi, për ta bërë Shqipërinë çdo vit një shtet më të besueshëm, më funksional, më demokratik e më të ngjashëm me një anëtar të BE-në, koha fluturon dhe frustrimi i shqiptarëve rritet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *