Kryeministri Edi Rama gjatë takimit elektoral me qytetarët në Poliçan, u ndal sërish te Reforma në Drejtësi.
Ai tha se iku koha kur ata që vrisnin nuk dilnin para drejtësisë sepse kryeministri i kohës nuk linte prokurorët të bënin punën.
Sipas tij të gjithë ata që pretendojnë se socialistët janë në burg duhet të dinë se kjo është e pavërtetë, pasi e vërteta është se PS nxorri drejtësinë nga burgu dhe se sot janë të gjithë të barabartë para ligjit.
“Nga zyra ku unë jam sot, u vranë njerëz, protestues të pafajshëm, vrasësve nuk u ka hyrë asgjë në këmbë. E kam thënë gjithmonë drejtësia vonon por nuk harron. Më parë kjo mbetej kjo fjalë boshe, por tani nuk është më fjalë boshe. Më thonë disa po çfarë ndodh sot. Imagjinoni pak se sikur unë të vrisja njerëz kur vjen e proteston këneta e unë të mos lejoj prokurorët të hetojnë. Kjo nuk ndodh më sepse nuk është më ajo Shqipëri, nuk është më ajo kënetë. Për herë të parë kemi një drejtësi që nuk pyet kush je dhe më ke je, por vjen e të merr. Kur ata thonë shiko se këta i kanë njerëzit në burg, unë u them shqiptarëve se jo, e vërteta është se ne kemi nxjerrë nga burgu drejtësinë. Nëse Sqipëria hyn në BE, drejtësia para ligjit mbetet e barabartë për të gjithë”, u shpreh Rama.





