Edi Rama parashikon që me mbylljen e vaksinimit të bluzave të bardha në mesin e marsit, të nisë ai i popullatës. Angazhimin, Kryeministri e ndërmerr teksa është në pritje të ardhjes së 41 mijë dozave nga Pfizer javët e ardhshme dhe të përmbylljes së marrëveshjes, sërish me një vend mik, emri i të cilit mbahet sekret, të 360 mijë dozave nga Astra Zeneca.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Unë jam me mish e me shpirt i angazhuar, bashkë me kolegët e mi, që sa më shpejt, shumë shpejt, të mund të disponojmë një sasi vaksinash që të hyjmë intensivisht në fazën finale të këtij makthi. Shumica dërrmuese e vendeve të rajonit nuk kanë ende një kontratë. Brenda javës së dytë të marsit do të mbyllim vaksinimin e të gjithë bluzave të bardha në Shqipëri. Shumë shpejt do të nisë vaksinimi masiv në Shqipëri. Është çështje kohe, por nuk mund të jap detaje, por jemi shumë afër. Më vjen keq që nuk mund të them fjalën e fundit, mezi po pres të them fjalën e fundit.”

Edhe pse shprehet besimplotë se Shqipërinë do ta fusë sa më shpejt në fazën finale të çlirimit nga Covidi,  pasi është në diskutime për të tjera doza nga të paktën tre vende mike, Edi Rama nuk mund të thotë se sa për qind e popullsisë do të jete e vaksinuar deri në nisje të sezonit turistik, për t’i dhënë siguri këtij të fundit se pandemia nuk do të bëhet pengesë për zhvillimin e tij.

“Ne po luftojmë për sasinë, kemi marrë konfirmim për 360 mijë vaksina AstraZeneca që do të jenë një sasi e konsiderueshme dhe do të zbresim shumë shpejt nga 80-vjeçarët tek 60-vjeçarët. Jemi afër një sasie tjetër të konsiderueshme vaksine. Nuk mund të jap më shumë shpjegime. Ne do të kemi të 41 mijë dozat e Pfizer brenda marsit dhe pastaj vazhdojmë në prill me vaksinat e tjera, qoftë Pfizer, qoftë AstraZeneca. Tani na duhet vula mbi marrëveshjen me shtetin tjetër mik që ka angazhuar procesin për 360 mijë vaksina AstraZeneca. Për këtë unë pres çdo ditë, çdo orë. Duhet vula. Me një vend tjetër mik jemi shumë afër për një sasi tjetër të madhe. Një vend i tretë është në kontakt me ne sot në mëngjes, të shohim. Tre janë në biseda konkrete me ne. Jam lypësi më i gjatë në planet.”

Kur të dhënat e infektimeve dhe jetëve të humbura qëndrojnë në shifra të larta dhe kur takimet elektorale përbëjnë shpesh herë shkelje të masave mbrojtëse, ekspertët ende janë pa një vendimarrje për mënyrën sesi do të zhvillohet fushatat zgjedhore.

Në pritje të prezantimit të programit, Shqipëria 2030, kreu i qeverisë tha se dyfishimi i ndihmës ekonomike do të vazhdojë edhe pas pandemisë dhe se paga minimale do të rritet në vazhdimësi.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *