Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën socialiste se prej 16 dhjetorit bllokoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, duke i dhënë asaj mundësinë të prishë provat. Berisha doli në konferencë me gazetarët në të njëjtën orë që Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit po dëgjonte argumentet e SPAK-ut për imunitetin e Belinda Ballukut, duke deklaruar se kjo çështje duhet të ishte shqyrtuar më herët.
“Sot në parlament zhvillohet seanca e shtyrë 3 muaj, shtytje me të cilën Lubisë iu dha mundësi të shkatërrojë mijëra e mijëra dokumente, të intimidojë, të kërcënojë me dhjetëra dëshmitarë. Ajo, aty nuk është. Komshia thotë prej katër ditësh nuk e kam parë të hyjë në shtëpinë e saj. Tjetër, nuk mund të them”, tha Berisha.
Por cilido që të jetë vendimi i PS-së për imunitetin e Ballukut, protestat e opozitës do të vazhdojnë, pasi sipas Berishës, kryeministri Rama është përgjegjësi kryesor për nivelin e korrupsionit në Shqipëri.
“Balluku është vetëm një aksesore e tij. Por, protesta, revolta, kryengritja paqësore ka në epiqendër Edi Ramën për ne. Dhe çdo qytetar duhet të ketë të qartë. Ai është mater matrix, nëna e nënës të gjitha këtyre aferave që kanë dalë, këtyre gjirizeve që kanë shpërthyer. A e dini ju se AKSHI është të paktën tre herë më kriminal, më i rëndë se çdo aferë tjetër?”, tha kreu i PD.
Kryetari i PD-së, Berisha, bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për shembjet në rrugën Librazhd–Prrenjas dhe izolimin e juglindjes së vendit.
“Ajo që është më dramatike se vetë shembja është heshtja kriminale e organeve të prokurorisë. Asnjë të arrestuar, asnjë të marrë në ndjekje, që të gjitha rrugët pa përjashtim të shembura. Shembet unaza e Burrelit. Shembet Rruga e Arbrit. Shembje, shembje dhe kudo vetëm shembje dhe sikur ato i kanë ndërtuar alienët dhe jo kompani të kontraktuara nga qeveria me paratë e taksapaguesve. Nuk veprohet sepse paratë janë ndarë me qeveritarët. Kurse vetë Edi Rama fluturon në Korçë me 30 mijë euro fluturimi”, tha Berisha.
Berisha u bëri apel qytetarëve të reagojnë kundër qeverisë dhe t’i bashkohen protestës së opozitës ditën e shtunë.





