
Rama mbledh grupin e PS-së, pritet të prezantohen masat ndaj protestuesve të dhunshëm
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një mbledhje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet të prezantohen masat që qeveria po shqyrton ndaj protestuesve që kanë kryer akte dhune dhe vandalizmi në kryeqytet.
Mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa në fokus pritet të jetë paketa e masave që ekzekutivi po përgatit pas episodeve të dhunës të regjistruara gjatë protestave të ditëve të fundit.
Një ditë më parë, u raportua se qeveria po shqyrton mundësinë e përfshirjes në një listë të posaçme në sistemin TIMS të personave të identifikuar për akte dhune dhe vandalizmi gjatë protestave. Sipas burimeve të raportuara nga Vizion Plus, propozimi synon identifikimin dhe regjistrimin e këtyre personave, me synimin për t’u kufizuar hyrja në vendet e Bashkimit Europian.
Megjithatë, deri më tani nuk ka detaje të plota zyrtare mbi përmbajtjen përfundimtare të paketës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të propozohen edhe masa të tjera.




