Subscribe

Qëndrimin e Bullgarisë për të penguar proceset integruese të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, kryeministri Edi Rama, e lexon si pasojë e asaj që ky vend mësoi nga më të mëdhenjtë e familjes evropiane: përdor politikën për të bllokuar të tjerët. Në krah të ish-kryeministrit të Greqisë, George Papandreou, drejtuesit të “Symi Simposium”, Edi Rama tha se nacionalizmat brenda BE-së, po bëhen pengesë në rrugën drejt anëtarësimit.

 

“Qëndrimi bullgar është rezultat i asaj që bullgari mësoi nga të mëdhenjtë, se mund të përdorësh politikën lokale për të bllokuar të tjerët. Kur hymë në procesin e integrimit na u tha se ky ishte ai ilaçi magjik kundër nacionalizmit për të na bërë me demokratik. Me ketë që po ndodh tani, jemi pengje të nacionalizmave të Bashkimit Evropian. Kur flas për nacionalizma e kam për vende të rëndësishme që mbajnë peng udhëheqësit dhe udhëheqëset që ende nuk janë nacionalistë por që bien pre e këtyre lojërave të përdorjes së Këshillit Evropian për t’i shtrydhur vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nga ana tjetër për ti treguar muskujt vendeve të tyre. Bullgaria është dëm kolateral.”

 

Si asnjëherë tjetër në qëndrimet e tij, Edi Rama u tregua edhe më i ashpër ndaj Bashkimit Evropian.

 

“Ne në Shqipëri e kemi parë veten të përgatitur për dasmën e madhe kemi marrë orkestrën më të mirë sepse komisioni evropian tha se jemi gati për të nisur bisedimet. Dasma e parë nusja nuk erdhi, dasma e dytë nuk erdhi sërish nusja, s’ka më përgatitje për një dasmë të tretë, vafsh në djall, ne s’mund të vazhdojmë me pritshmëri sepse është një vit i  tërë me pritshmëri.”

 

Kreu i qeverisë solli si shembull të standarteve të dyfishta që Bashkimi Evropian përdor, si moslejimi pa viza i shqiptarëve të Kosovës edhe pse i përmbushi të gjitha kriteret e kërkuara.

 

“BE nuk është Vatikani dhe nuk jemi kisha e ndonjë fshati të humbur në Argjentinë. Ne kemi problemet tona dhe po i luftojmë, ka një standard të çmendur të dyfishtë. Mendoj që është e rrezikshme sepse nuk duhet lejuar që të kthehet në diçka Anti-BE, e them këtë si plotësisht evropian. Ajo çfarë kemi është që kemi njëri-tjetrin në rajon, kemi edhe BE, Bashkimi Evropian nuk është diçka për të cilën do të ndryshojmë mendje, kemi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka një shaka që qarkullon, euro-optimisti thotë që Turqia do të hyjë në BE, kur Shqipëria të ketë presidencën, ndërsa euro-pesimisti thotë që Shqipëria do të hyjë në BE, kur Turqia të ketë presidencën.”

 

Në takimin  e 23-të të “Symi Simposium”, me temë “Revolucionet e vogla dhe të mëdha pas periudhës së pandemisë”, kureshtjes së një prej të pranishmëve në tryezë se si një piktor arriti të bëhej një kryeministër, Edi Rama iu përgjigj.

 

“Jam kryeministri më i mirë mes piktorëve dhe piktori më i mirë mes kryeministrave. Këtu jam i pashoq. Nuk ka askush që më sfidon këtu, George Bushi u përpoq, por nuk ia doli dot sfidës. Ne në Ballkan kemi nevojë të themi që ne jemi më të mirët në botë për diçka.”

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *