Kryeministri Edi Rama u shpreh i prerë se kjo ishte hera e fundit që u desh ndërhyrja e ambasadorëve për të arritur marrëveshjen për reformën zgjedhore. Duke folur gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit, kreu i qeverisë tha se ka ardhur momenti që politika shqiptare t’i zgjidhë vetë problemet e veta.

“Nuk është sekret që me presidentin kemi çështje të hapura, por sigurisht që mund të takoheshim dhe të takohemi, edhe tek presidenti, edhe tek kryetari i Kuvendit, edhe tek Baba Mondi, edhe tek Kryegjashata, edhe tek Katolikët. Kjo është marrëveshja e fundit që bëjmë nëpër ambasada, kjo është hera e fundit nga ana ime. Ua kam thënë edhe ambasadorëve, për çështjet tona s’mund të bëjmë ndryshe për punët tona. Në këtë Këshill duhet të ishte patjetër edhe opozita.”

Sa i takon punës që Shqipëria duhet të bëjë për të vijuar rrugën drejt integrimit, Rama tha se jemi ende larg objektivit.

“Besoj mund të themi se jemi në një stad të ri, përderisa edhe vetë procesi është kuadri negociator, plani i masave për negocimin, që do të thotë se jemi gati të hapim një faqe të re. I gjithë libri është një faqe me më shumë detyra, me më shumë sfida dhe patjetër, që kërkon edhe më shumë energji dhe bashkëpunim mes nesh. Një gjë mund të thuhet pa asnjë ngurrim dhe bindje, se kur e shohim procesin me vështrimin përpara, jemi ende larg objektivit të madh për anëtarësimin në BE. Shohim që jemi shumë më afër sot, sesa ishim qoftë edhe një vit më parë, lëre më pas 5 apo 11 vite më parë. Sigurisht që është një proces ku ne na duhet si drita dhe uji njeriut për të bërë Shqipërinë një vend me standartet e BE. S’është proces që na e kërkon Brukseli, Parisi apo Berlini, por është një proces që e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *