“Rama ka një hall”/ PD: Paketa “Anti-KÇK” do të dështojë

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi është i bindur se paketa “Anti-KÇK” do të dështojë. Sipas tij, arsyeja e dështimit është vetë kryeministri Edi Rama, për të cilin tha se bashkëpunon me krimin e organizuar.
Përmes një postimi në “Facebook”, Bardhi akuzon kreun e qeverisë, si personin përgjegjës që ka shndërruar Shqipërinë në bazë operacionale për krimin e organizuar.
“Që do të zbatojë Edi Rama ndonjë ligj që godet krimin e organizuar, është si të besosh se hijena do të bëhet vegjetariane. Sa herë ka një hall të madh, Rama shpik një ligj me emër të madh. “AntiKÇK” ka për të dështuar, siç dështoi “Forca e ligjit”, sepse në krye të qeverisë është ortaku i krimit të organizuar. Me Edi Ramën kanë dalë jashtë burgut kriminelët më të rrezikshëm. Me Edi Ramën, Shqipëria është shndërruar në bazë operacionale për krimin e organizuar. Me Edi Ramën nuk ka për të patur luftë kundër krimit. Ka vetëm propagandë dhe bashkëqeverisje me krimin e organizuar.”
Paketa “Anti-KÇK” kaloi nga Këshilli i Ministrave këtë të premte nëpërmjet një akti normativ që e fut menjëherë në fuqi.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh këtë të premte se paketa “Antishpifje” ka të bëjë më pasurinë e atyre që janë dënuar për krim, krim të organizuar dhe terrorizëm.




