Të gjithë pronarët e bizneseve që kanë zaptuar hapësirat publike do të përballën me një paketë të re ligjore, njoftoi kryeminisitri Edi Rama mesditën e kësaj të marte në një postim në facebook teksa denoncoi publikisht një rast abuzimi të hapësirës publike.
“Kjo nuk mund të jetë kurrsesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës .Dhe këtu nuk është çështja të shkojë ky e të shkojë ai për t’i larguar këta dhunues të jetës komunitare, duke i gjobitur që këta të rishfaqen prapë si në një lojë macja me miun. Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon vija e kuqe për këdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duke e ndëshkuar penalisht për dhunim të bashkëjetesës qytetare. Shumë shpejt do të kemi një pako speciale ligjore për këtë soj dhunuesish”, deklaroi Rama.
Brenda pak orësh hapësira publike iu kthye qytetarëve, ndërsa Rama u ndal edhe te shpërdorimi i ujit të pishëm.
“Pikërisht! Nuk mund të ketë shërbim gomisterie në mes të rrugës, kufiri i biznesit mbaron aty ku fillon kufiri i jetës së komunitetit Ndërkohë që do të merren masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm me zorrë për larje turlilloj”, tha Rama.
Në të gjithë territorin e vendit vijon aksioni i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, mbështetur nga policitë bashkiake dhe të rendit për lirimin e hapësirave publike, kryesisht nga struktura pa leje të vendosura nga bizneset, bare e restorante./vizionplus.tv





