Pak pasi kreu i grupit Parlamentar i PD-së, Gazmend Bardhi kërkoi nga seanca parlamentare kryeministrin Edi Rama për të zhvilluar një interpelancë për çështjen ‘Becchetti’, kreu i qeverisë iu kundërpërgjigj me një postim të gjatë në platformën X duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës.
Edi Rama: Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën! Madje ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë!
Lexo edhe :
Shefi i mazhorancës akuzon opozitën për shpifje të cilën e përhap në kanalet mediatike, komisione hetimore apo interpelanca. Duke shtuar se llogaria do të merret në pranverë nëpërmjet votës, Rama tregohet i prerë për largimin e tij nga politika nëse vërtetohen akuzat e Gazmend Bardhit ndaj vëllait të tij Olsi Rama.
Edi Rama: Vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfarë.
Rama thotë se po pret verdiktin e drejtësisë, para se të marrë një vendim.
Edi Rama: Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi.
Edi Rama shkruan se pretendimet e opozitës marrin zë sa herë ata ndjejnë të mbyten nga dallga popullore e zgjedhjeve, duke e konsideruar këtë histori të vjetër sa qytetarët nuk e besojnë më./vizionplus.tv






