Drejtori i Kabinetit të PD-së, Dorian Teliti e quan kryeministrin Edi Rama një gënjeshtar që mashtroi shqiptarët duke iu premtuar mirëqënie dhe një jetë më të mirë.

 

Ai e konsideron ekonominë një dështim spektakolar, ndërsa shtoi se i vetmi tregues me rritje në këtë qeveri është “luksi qeveritar”. Sipas tij, për zyra luksoze, hotele të shtrenjta, udhëtime me avionë privatë, fasada luksi janë shpenzuar rreth 20 milionë dollarë më shumë se një vit më parë.

 

“7 vjet më pas, shqiptarët janë më keq, ndërsa Edi Rama jeton në luks, duke u pajisur edhe me një avion privat.  Dështimi i Edi Ramës me ekonominë është spektakolar. Me vendosjen e buxhetit të shtetit dhe pasurive të shqiptarëve në funksionin të pasurimit të vet dhe të një grushti oligarkësh, Edi Rama ka vazhduar ta rrënojë çdo vit ekonominë e familjeve shqiptare.  Me 260 milionë dollarë që i mungojnë arkës së shtetit për vitin 2019, kryeministri i votave të vjedhura është rekordmen i korrupsionit dhe paaftësisë.  Të kërkosh nga njëra anë ndihmë financiare nga donatorët ndërkombëtarë për demet e tërmetit dhe, nga ana tjetër, t’i shkaktosh vendit një tërmet korrupsioni me 260 milionë dollarë të munguar në buxhet, do të thotë tallje me shqiptarët dhe me vendet mike.”

 

Teliti shprehet se bëhet fjalë për një gjendje alarmante të korrupsionit, kontrabandës dhe varfërisë.

 

“Nga 260 milionë dollarë, 190 mungojnë vetem nga doganat dhe tatimet.  Por Edi Rama është një dështim katastrofik edhe me treguesin kryesor të ekonomisë, tvsh-në. Çdo gjë flet për krizë konsumi, krizë ekonomike, korrupsion, evazion dhe paaftësi në qeverisje.  Paratë nuk vijnë në arkën e shtetit dhe pasojat janë të qarta. Nuk ka rritje pagash dhe pensionesh, shtresat në nevojë vazhdojnë të jenë të braktisura, investime ka gjithmonë e më pak. Investimet 2019 ishin edhe më keq se viti paraardhës. Janë 34 milionë dollarë më pak investime në rrugë, në shkolla, në spitale, në bujqësi.”

 

Në fund të deklaratës së tij, përfaqësuesi i PD-së nënvizon se Shqipëria nuk e meriton këtë plaçkitje, si dhe populli meriton të ketë një jetë më të mire.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *