Subscribe

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj dy deklaratave zyrtare nga ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin i cili pa u kursyer në gjuhën përcmuese ka fyer kombin shqiptar dhe sulmuar drejtpërdrejt kreun e qeverisë. Rama ka kërkuar nga presidenti Aleksandër Vucic që të reagojë dhe ka theksuar se shengeni ballkanik është një proces në mbrojtje të interesave rajonale.

 

“Unë jam neveritur kur kam kuptuar që deklarata e tij nuk ishte meme. Nuk ka mundësi që një anëtar të bëjë një deklaratë të tillë. Në vitin 2020 të jetë një gojë kaq e shthurur dhe një mendje kaq e errët. Ka vetëm një të mirë kjo, që ekstremistët shqiptarë në Prishtinë më akuzojnë që po punoj për Serbinë e madhe ndërsa serbët anasjelltas. Unë kam kërkuar një reagim nga Presidenti i Serbisë. Unë kam qenë i qartë me të dhe mendoj që e kam kuptuar që ai ka qenë dakord me mua që shengeni rajonal është një proces në mbrojtje të interesave rajonale. Serbia nuk mund të hapë gojën se sa shpejt ne dhe Kosova avancojmë në minishengenin.” 

 

Kryeministri Rama është shprehur në mbrojtje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

“Sa për luftëtarët e UÇK-së, unë jam krenar që për arsye të fatit kam mundur t’i njohë dhe t’i kem miq në ditë të mira dhe të vështira. Për mua janë çlirimtarë. Vrasësit ishin në Beograd dhe janë në Beograd. Ngado të rrotullohen këta personazhe nuk e ndryshojnë historinë. Serbia e sulmoi Kosovën. Nuk ishte Kosova që dërgoi tanket. Ishin nga Beogradi, ishin ushtarët e Sllobodan Millosheviçit që bënë spastrim etnik, përdhunues. Çlirimtarët në Kosovë, ndërsa kriminelët e asaj lufte janë në Beograd nën dhe dhe disa janë mbi dhe.”

 

Një ditë më pare Rama ka marre një përgjigje fyese pas ankesës së tij në “Twitter” nga ministri serb i Mbrojtjes, Alesander Vulin.

 

“Nëse Edi Rama do të kishte një tru, ai nuk do të përpiqej të bënte një “Shqipëri të Madhe”, nëse do të kishte një mendje, nuk do të bënte një foto nën flamurin e një “Shqipërie të Madhe” dhe nëse do të kujdesej për paqen në rajon, nuk do të lavdëronte vrasësit nga e ashtuquajtura UÇK. Nëse do të kishte fytyrë, Rama nuk do të përpiqej të portretizonte manastirët serbë në Kosovë dhe Metohi si trashëgimi të popullit të tij në librat shkollorë zyrtarë të shtypur nga qeveria e tij. Vetëm në botën e cicërimave dhe mimikave, Rama, që e kujtojmë më shumë për çorapet e tij të shqyera sesa për idetë e shkëlqyera, mund të ndajë mësime. Shiptarët janë një popull i nderuar i Esad Pashë Toptanit dhe unë kurrë nuk do t’i identifikoja me Ramën.”

 

Pas mbledhjes së përbashkët mes qeverive Kosovë-Shqipëri të premten, Vulin u bëri thirrje të gjithë serbëve në Ballkan të “bashkohen institucionalisht” kundër “Shqipërisë së Madhe”, një ide që sipas tij udhëhiqet nga Edi Rama.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *