“Rama e mendon veten të plotfuqishëm”, Topi: Politika shqiptare është shkatërruar në strukturë

Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar situatën politike në vend dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se nuk do të dorëhiqet pavarësisht protestave që po zhvillohen nga qytetarët.
I ftuar në studion e “Të paekspozuarit” në Vizion Plus, Topi u shpreh se politika shqiptare po përballet me një krizë të thellë përfaqësimi, ndërsa pushteti është përqendruar në duart e kryetarëve të partive.
Ish-Presidenti deklaroi se Rama nuk konsideron as një instiucion tjetër, madje sipas Bamir Topit as presidencën.
Pjesë nga intervista:
Bamir Topi: Sot nuk ka më politikë dhe politikanë që zgjidhen nga njerëzit. Janë lista që zgjidhen nga dy kryetarët. Pushteti politik zotëron shtetin.
Rama thotë se nuk tërhiqet. Si e shihni ju këtë reagim? Shihni thellim të krizës?
Bamir Topi: Nuk kam pritur që ai të reagojë ndryshe. Prej kohësh, ai është njeriu i plotfuqishëm i Shqipërisë. Nuk ka në konsideratë asnjë institucion tjetër, as presidentin. Rama e mendon veten si një njeri që ka në dorë çdo gjë. Në vijën e parë është politika, por nuk po shohim politikë. Është shkatërruar politika shqiptare në strukturë, ndaj s’ka kush i jep zgjidhje problemit. Kemi vetëm një palë që komandon dhe kjo është shumë e dhimbshme. Politikanët kanë humbur çdo lidhje me ata që e kanë detyrim t’i përfaqësojnë. As politikanët e vjetër nuk reagojnë, preferojnë të rrinë në karrigen e komfortit. Kjo është tashmë një histori kronike. Kjo është situata.
/vizionplus.tv




