Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili bën përgjegjëse qeverinë për rritjen e të infektuarve nga koronavirusi ditët e fundit në vend.

Përmes një postimi në “Facebook”, Vasili shprehet se shtimi i shifrave ka ardhur si pasojë e mungesës së testimeve dhe aktivizimit të mjekëve të familjes në terren. Sipas tij, kjo u bë për qëllimisht për të mos evidentuar të vërtetën.

Ai theksoi se kryeministri Edi Rama ka përdorur politikisht pandeminë, të cilën e konsideroi një vepër të mirëfilltë kriminale.

“Sot Shqipëria në mënyrën më skandaloze dhe më të turpshme ka raste 3-4 herë më shumë se sa në momentin e pikut, pra të maksimumit të vet. Për çdo shqiptar të zakonshëm është fare e kuptueshme që çdo vend europian, duke filluar nga Italia, një nga vendet më të goditura nga pandemia, në momentin e vendosjes së hapjes, relaksimit, daljes nga pandemia, rastet filluan të uleshin. Maksimumi i tyre u trajtua, u izolua, u aplikuan strategji të mbështetura në kritere profesionale dhe shkencore dhe rastet janë vazhdimisht në një ulje të vazhdueshme. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Pikërisht ku rastet fillojnë të shtohen menjëherë kur fillon hapja. Arsyeja është mungesa e testimeve dhe mungesa e aktivizimit të mjekëve të familjes në terren u bënë qëllimisht për të mos evidentuar të vërtetën, e gjithë problematika u grumbullua vetëm në një numër 127 për t’iu larguar të vërtetës me qëllimin e lig që ne do bëjmë sikur testojmë, do fshehim shifrat dhe pastaj ishalla pandemia bie vetë dhe ne duartrokasim fort për një sukses të jashtëzakonshëm politik pra Edi Rama ka përdorur politikisht pandeminë kjo është kriminale, kjo është një veprimtari e mirëfilltë kundra shqiptarëve, është një veprimtari antishtetërore.”

Mes të tjerash, Vasili u shpreh se masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit i kanë dhënë një goditje vdekjeprurëse ekonomisë shqiptare.

“Sot sipas studimeve tërësisht të besueshme 47% e bizneseve kanë ulur qepenat, janë mbyllur. 42% e tyre vazhduan punë sërish dhe 32% e tyre pra më shumë se një e treta kanë shkurtuar personelin pra një dramë e tmerrshme që po bie në kurrizin e mijëra shqiptarëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *