Rama: Digjitalizimi dhe koordinimi, çelës për reformën e inspektimeve

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ditën e sotme zhvilluan një takim me Kryeinspektorin e Përgjithshëm, Dashnor Sula dhe drejtuesit e inspektoriateve të vendit, për fazën e re të reformës së sistemit të inspektimeve.
Gjatë takimit, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e digjitalizimit të inspektimeve si një hap për të rritur efikasitetin dhe besueshmërinë e sistemit, duke ndihmuar sipërmarrjet dhe duke siguruar një konkurrencë të ndershme.
Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për një kanal të besueshëm ankesash dhe për koordinim të ngushtë me Inspektorin e Përgjithshëm, duke e konsideruar koordinimin si çelësin kryesor për zbatimin e reformës.
Rama: E fundit që unë e kam folur me Dashin është digjitalizimi. Këtu ka shumë potencial për të çuar në një nivel tjetër gjithë sistemin e inspektimit dhe për të rritur besueshmërinë. Edhe për të ndihmuar sipërmarrjen realisht, sepse sipërmarrja vuan konkurrencën e pandershme, vuan situata për të cilat ka nevojë për shtetitn, ka nevojë për një trupë inspektimi dhe i duhet dhënë kjo mundësi. Duhet të ketë një kanal ankesash, një trajtim të besueshëm ankesash. Ne besojmë, unë besoj, që reforma është e duhura, besoj që legjislacioni është i duhuri, fuqia që i është dhënë inspektorit të përgjithshëm dhe mundësia që i është dhënë sistemit për t’u stabilizuar janë të duhurat. Tani duhet zbatim dhe kyçi këtu është koordinimi. Koordinimi është problem i madh dhe këtë problem duhet ta adresojmë së bashku duhe punuar në harmoni me Inspektorin e Përgjithshëm.




