Situata e rënduar nga moti i keq është analizuar në mbledhjen e komitetit ndërministror të emergjencave civile. Në prani të kryeministrit Rama janë vlerësuar dëmet e shkaktuara nga shiu dhe përmbytjet.
“Deri tani janë në rang vendi, numëruar 1587 banesa me praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje, po ashtu prania e ujit është konstatuar në 13211 hektarë tokë bujqësore ku një pjesë janë përmbytur, sikundër edhe disa qendra shëndetësore apo arsimore”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u premtoi qytetarëve të prekur se do të dëmshpërblehen.
“Sot dua t’i siguroj dhe të dëmtuarit e kësaj here se do të shlyejmë me të njëjtin dinjitet çdo detyrim ndaj tyre. Puna intensive dhe mobilizimi i pa ndaluar 24 orë në të gjithë territorin ku është nevoja e të gjitha strukturave do të vazhdojë e pandërprerë deri në përforcimin e kësaj situate”, tha Edi Rama.
Zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku bëri me dije se situata me energjinë është përmirësuar ndërsa të gjitha akset janë funksionale.
“Në zonat malore kemi pasur disa shkëputje, kryesisht në Kukës dhe Librazhd, por të gjitha janë rikthyer në funksion në kohë rekord. Aeroporti i Rinasit vijon operimin normal, megjithëse ka pasur disa devijime fluturimesh për shkak të stuhisë. Edhe Porti i Durrësit është funksional, ndërsa për ditën e sotme pritet rritje e shpejtësisë së erës në Ultësirën Perëndimore, çka mund të vështirësojë lundrimin detar”, u shpreh Belinda Balluku.
Ndërkaq, ministrja e brendshme Albana Koçiu bëri bilancin e forcave policore të cilët janë në gatishmëri.
“Rreth 5500 punonjës të policisë ka qenë në angazhuar në terren. Janë 700 mjete të policisë që janë vendosur në dispozicion për të ndihmuar. Forcat zjarrfikësve që janë mbi 720 efektivë që janë të angazhuar, kanë kryer roli ne tyre. 5 automjete zjarrfikësve në dispozicion”, tha Koçiu.
Ndërsa Ministri i Bujqësisë, Andis Salla u shpreh se po punohet për hapjen e kanaleve kulluese në mënyrë që të shmangen përmbytjet.
“Po punojmë për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese, kemi 29 ekskavatorë në gatishmëri në nivel kombëtar, i kemi pasur në zona kryesisht të prekura nga përmbytja ku të gjithë kanë qenë në gatishmëri 24 orë për të monitoruar dhe për të ndërhyrë edhe në zona ku kemi bërë, edhe në argjinatura, në dy çarje në Sheqeras-Devoll dhe Bilisht-Boboshticë të cilat vazhdojnë akoma sepse kemi pasur një përmbytje të konsiderueshme”, tha Salla.
Gjatë mbledhjes u bë me dije se qeveria ka në dispozicion rreth 50 milionë euro për situatën e emergjencave natyrore.
/vizionplus.tv





