Kryeministri Edi Rama risolli në vëmendje këtë të hënë amnistinë fiskale. Në një bashkëbisedim në “Facebook” kreu i qeverisë tha se brenda javës qeveria do ta miratojë këtë nismë për t’i hapur rrugën pastaj punës së Parlamentit.

“Tani jemi gati që pasi ta kalojmë këtë javë në qeveri, t’ja çojmë Parlamentit të hapur për konsultime me grupet e interesit që brenda një afati të arsyeshëm, uroj brenda majit, Parlamenti ta miratojë. Fjala është për amnistinë fiskale, e domodosdoshme pasi për 30 vjet më radhë ne e dimë shumë mirë që qindra mijëra bashkëqytetarë në emigracion kanë punuar punë nga më të ndryshmet dhe kanë plot kursime që kanë pasur dhe kanë ende sot të pamundur që t’i depozitojnë të gjitha në banka. Duke vazhduar edhe me një pjesë dërrmuese në Shqipëri. Po ashtu edhe kompanitë që kanë të ardhura të padeklaruara.”

Rama sqaroi se nga kjo amnisti do të përjashtohen politikanët dhe familjarët e tyre, punonjësit e Policisë së Shtetit, gjyqtarët dhe prokurorët dhe ata që kanë vënë të ardhura në rrugë kriminale. Pjesa tjetër e shqiptarëve, sipas tij, do të përfitojnë.

“Do të jetë një amnisti gjithëpërfshirëse që do të synojë lehtësimin maksimal të të gjithë atyre që jetojnë në emigracion dhe në vendin tonë dhe që janë në nevojën 30-vjeçare për të formalizuar paranë jo formale që kanë në dispozicion. Amnistia ndalon qartësisht riciklimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale dhe nga korrupsioni, nuk mund të amnistohen. Përjashtohen nga kjo amnisti të gjithë ata që janë të dënuar për aktivitetet e caktuara dhe që është edhe subjekt i drejtpërdrejt i ligjit special i OFL. Përjashtohen nga kjo amnisti të gjithë politikanët, familjarët dhe të gjithë ata që militojnë në radhët e Poplicisë së Shtetit, në radhët e gjykatësve, në radhët e prokurorëve. Të gjithë të tjerët do të përfitojnë nga kjo amnisti. Çdo qytetar që ka një pasaportë të Republikës së Shqipërisë mund të përfitojë nga amnistia, nëse nuk është në ato kategori përjashtuese.”

Kjo nismë u propozua për herë të parë në Kongresin e Partisë Socialiste në shkurt të këtij viti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *