Ashtu si 4 vite më parë, kryeminstri Edi Rama do të vendosë një tjetër bast po në Kuç të Vlorës për mandatet që sipas tij PS do të fitojë në 11 maj.
Rama u shpreh se kjo do jetë fitorja më e madhe ndonjëherë për socialistët.
“Ne do marrim më shumë mandate seç kemi. Sesa do marrim do ta them me shkrim në Kuç, por me duhet dhe pak kohë për të kuptuar ku jemi. Por afër jam. Ne bëjmë anketime shkencore gjithë kohës. I kemi të gjitha trendet kapicë. I kemi trendet për të parë luhatjet. Minimali është mbi atë që kemi. Sa mbi më duhet dhe pak kohë. Nuk ka aq shumë të pavendosur. Diferenca jonë me kënetën do të jetë më e madhja ndonjëherë”, tha Rama.
Rama bëri një koment edhe për arrestimet nga radhët e PS, duke thënë se kur votuan reformën në drejtësi ishin të vetëdijshëm se shpata do të godiste në të dyja anët.
“Nëse sot ka ish ministra, zyrtarë bashkie…në probleme të hapura me drejtësinë si erdhi kjo ditë. E solli zoti vetë, pa ndihmën tonë. E solli Amerika me aeroplan këtë ditë apo BE me anije? Se Amerika dhe BE aty kanë qenë që në ‘91. Ti jo vetëm që nuk ke parë kurrë në jetën tënde një ministër apo kryetar bashkie, individë të fortë të lidhur me pushtetin, qoftë kriminelë që të jenë nën goditjen e shpatës së drejtësisë por ke parë gjëra të kundërta me këtë, ke parë qeveri, kryeministra që vrasin njerëz. Këtu poshtë dritareve janë vrarë njerëz të pafajshëm, qytetarë që erdhën të protestojnë në dritaret e kësaj godine u bënë frëngji nga ku dolën pushkët e shtetit. Ke parë qeveri që hedhin në erë zona të banuara, vrasin, plagosin njerëz dhe shkatërrojnë prona. Jo në film, por në realitet në Tiranë dhe s’ju ka hyrë gjemb në këmbë. Ke pasur këtu në Tiranë presidentë që kanë hedhur Shqipërinë në erë, provokuar vrasjen e 4 mijë njerëzve duke nxitur popullin që të fusin lekët nëpër piramida”, tha Rama.
Kryeministri ironizoi gjithashtu edhe kreun e PD Sali Berisha për shpalljen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara.
“Ore ja hoqën non gratën këtij, keni ndonjë informacion. Si shkoi puna e këtij? Nuk është se ndryshon ndonjë gjë se bufi buf mbetet, por sikur nuk ja kanë hequr”, tha kreu i PS.
Rama ftoi edhe diasporën të votojë për socialistët për të bërë të mundur integrimin europian./vizionplus.tv





