Samiti për Planin e Rritjes/ Rama: 2027 do të jetë viti i Shqipërisë, nuk kërkojmë dhurata apo favore nga BE-ja, por të vlerësohemi për detyrat e përmbushura

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka një qartësi të plotë për objektivat e vitit 2027 në procesin e integrimit europian, duke theksuar se qeveria nuk do të lërë asnjë detyrë pa përmbushur për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Rama u shpreh se edhe nga ana e Komisionit Europian është konfirmuar se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë.
“Ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë, duke i plotësuar detyrat pikë për pikë. Jo se na i kërkon zysha, por sepse e kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë, e nesërmja e vendit tonë”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se çdo detyrë e përmbushur në funksion të anëtarësimit në BE është një hap drejt ndërtimit të një shteti europian. Ai nënvizoi se Shqipëria nuk kërkon privilegje apo trajtim të veçantë nga Brukseli.
“Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, nuk kërkojmë asnjë bypass, nuk kërkojmë asnjë mbyllje të syve. Kërkojmë vetëm të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë ato në maksimum”, u shpreh kreu i qeverisë.
Në fund të fjalës së tij, Rama falënderoi Marta Kos për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe i uroi një vit të ri sa më të mirë, duke shtuar se suksesi i saj është i rëndësishëm edhe për vendin tonë.




