Greqia, Qiproja dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtim të një tubacioni nën det me gjatësi 1,900 kilometra për të bartur gaz natyror nga Mesdheu në Evropë, duke krijuar mundësi që kështu t’i ndihmohet kontinentit të zvogëlimin e varësisë nga furnizimet e Rusisë me energji.

 

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti i Qipros, Nikos Anastasiades, kanë qenë pjesë e një ceremonie më 2 janar në Athinë për të nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur, Projekti Mesdheu Lindor (EastMed). Këto tri qeveri tani do të nisin thirrjet për investitorët e interesuar në këtë projekt.

 

Këto shtete pritet të arrijnë marrëveshje përfundimtare për investime deri më 2022, derisa punimet për tubacion të përfundojnë më 2025. Kjo marrëveshje vjen teksa Rusia përgatitet për të nisur dërgimin e gazit këtë vit përmes dy tubacioneve në Evropë, pas marrëveshjeve të arritura me Turqinë dhe Gjermaninë.

 

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mbështesin projektin e Mesdheut, pasi Uashingtoni shumë shpesh thekson nevojën që Evropa të bëhet më pak e varur nga Rusia sa i përket  furnizimit me gaz natyror. Zyrtarët po ashtu kanë thënë se ata shpresojnë që kjo marrëveshje mund të nxisë investime shtesë në sektorin e gazit natyror në Lindje të Mesme.

 

Kongresi amerikan ka miratuar muajin e kaluar një projektligj që ndan 1 miliard dollarë në mbështetje të projekteve të energjisë në Evropën Lindore me qëllim të uljes së varësisë së këtij rajoni nga Rusia./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *