Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të mblidhen këtë të hënë në Pejë për të zhvilluar mbledhjen e radhës.
Në mbledhjen e dy qeverive do të trajtohen tema të ndryshme në lidhje me bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe pritet të ketë disa marrëveshje të reja.
Marrëveshje, siç do të jetë ajo e heqjes së barrierave të panevojshme dhe taksave shumë të larta që Shqipëria ka vendosur ndaj Kosovës.
Por nga ana tjetër në mbledhjen e përbashkët, në rendin e ditës do të jetë dhe njohja e certifikatave dhe licencave që lëshohen nga institucionet e të dyja vendeve si dhe ajo e tarifave roaming.
Mbledhja e Pejës do të jetë e pesta që të dyja vendet zhvillojnë mes tyre, pas mbledhjes së parë historike të zhvilluar në Prizëren në 11 janar 2014.
Mbledhje që pasoi më pas me atë të Tiranës, Prishtinës dhe Korçës.
Por edhe pse mes qeverive të dy vendeve janë zhvilluar 4 mbledhje, ndërsa sot mblidhet e pesta, pala kosovare ka shprehur pakënaqësi për konkretizimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.





