Qeveria ka marrë vendimin të rrisë mbështetjen financiare për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar.
Lajmin e bëri me dije Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, në përfundim të mbledhjes së qeverisë.
“Në vazhdën e mbështetjes jo vetëm e këtyre personave, por dhe me të gjithë ato shtresa në nevojë, qeveria ka vendosur të rrisë sot masën e sigurimit financiar. Një kërkesë e vazhdueshme është dhe me figura të reja personale që merren me këto target grupe. Figura e ndihmësit personal, është një figurë që së bashku me projektet e BE jemi duke punuar që përveç trajnimit, do të marrë dhe një mbështetje përmes një page. Të gjitha këto punë dhe përpjekje vijnë dhe në vazhdën e buxhetit që u miratua dje”, tha ministrja Koçiu.
Pyetjes së Vizion Plus për mungesën e barnave në qendrat spitalore, ministrja Koçiu deklaroi se po procesi do jetë nën monitorim të vazhdueshëm.
“QSUT ka kryer gjithë procedurën për të pajisur pacientët me këto barna, sidomos citostatikët që janë tejet të rëndësishme për trajtimin e tyre. Furnizimi me barna është një nga proceset më komplekse të administratës, është edhe lista e barnave të rimbursueshme duke u dhënë mundësi qytetarëve që të trajtohen gjatë ecurisë së sëmundjes. Aktualisht që flasim janë nënshkruar marrëveshje për furnizimin e qendrave spitalore dhe ne do i monitorojmë”, shtoi ministrja.
E pyetur se pse u rrëzua një ditë më parë në parlament amendamenti për minimumin jetik, Koçiu tha se opozita nuk e kishte vlerësuar siç duhet, ndërsa në përfundim tha se po ridimensionohet e gjithë skema e sigurimeve shoqërore. /vizionplus.tv