Qeveria do të ndalojë daljen jashtë vendit për personat që ushtrojnë dhunë në protestë? Alibeaj: Më kujton kohën e internimit

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj ka komentuar në studion e lajmeve të edicionit maratonë në Vizion Plus, të moderuar nga Aleksandër Furxhi, masat e fundit të qeverisë ndaj protestuesve të dhunshëm.
Alibeaj tha se masat e qeverisë për të ndaluar daljen jashtë vendit të personave të dhunshëm në protestë i kujtojnë masat e komunizmit, atë të internim-dëbimit.
Sipas tij, e vetmja mënyrë për të ndaluar lëvizjen e lirë është përmes një vendimi gjykate.
Pjesë nga biseda:
Furxhi: Qeveria po përgatit një listë të zezë për ata që shkaktojnë dhunë?
Alibeaj: E shoh të trishtë në disa dimensione. Qeveria ka vendosur që të mos gjejë një sjellje politike, siç i ka hije një qeverie, pra pjesës racionale. Mes publikut protestues dhe qeverisë ka një asimetri. Qeveria duhet të jetë e përgjegjshme, jo publiku protestues. Zgjidhja pritet nga qeveria, jo nga publiku.
Kryeministri, mesa duket, ka zgjedhur mjetet e dhunës, me të gjitha kërcënimet që u bënte protestuesve dhe me atë historinë banale prej 2500 eurosh për çdo polic. Duket sikur i fton ata: lini ligjin, zbatoni paratë dhe përshkallëzoni situatën.
Furxhi: Jeni të sigurt se policët e pranojnë këtë argument?
Alibeaj: Mund edhe të vijë mirë këtu, por kam përshtypjen se duhet parë nga këndvështrimi i shtetarit, jo i policit, pasi kjo nuk është përballje mes turmës dhe policisë, por një dialektikë politike, publik-qeveri.
Policët edhe mund të joshen, por ka edhe një të nesërme. E nesërmja mund të mos jetë e mirë për askënd, nëse lë ligjin dhe merr eurot.
Nëse është e vërtetë se qeveria merr masa për t’u mos lejuar shqiptarëve lëvizjen e lirë si masë ndëshkimi, më erdhën në mendje masat e internim-dëbimit në kohën e komunizmit. Vetëm me vendim gjykate mund të të kufizohet kjo e drejtë.
Furxhi: Qeveria duhet të padisë?
Alibeaj: Rruga e vetme është rruga institucionale dhe e ligjit. Nëse do të kishte shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, do të ishte normale. Duke parë këto masa, kuptoj se kryeministri ka humbur qetësinë. Kemi parë edhe kryeministra të tjerë që u ka humbur qetësia dhe e dimë se çfarë ndodhi.




