“Qeveria arrogante me protestën prej 4 muajsh”, Marjana Koçeku: Pas skandaleve, kërkohet dorëheqja e Ramës

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka komentuar në Vizion Plus protestat e zhvilluara në vend, duke u shprehur se studentët kanë qenë të qartë në kërkesat e tyre, por se prej katër muajsh kanë marrë, sipas saj, përgjigje arrogante nga qeveria.
Koçeku theksoi se sot është dita e katërt e protestave në një formë tjetër, duke e konsideruar të pranueshëm këtë zhvillim. E pyetur se përse protesta ka kaluar nga forma paqësore në atë të dhunshme, ajo u shpreh se, në vend të reflektimit nga ana e qeverisë, protestuesit kanë hasur arrogancë.
Sipas deputetes , të rinjtë po protestojnë kundër korrupsionit dhe për një të ardhme që u garanton mundësinë për të qëndruar në Shqipëri, pa u detyruar të mendojnë largimin nga vendi.
Ajo shtoi se kërkesa kryesore e protestuesve prej muajsh është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur këtë kërkesë me skandalet korruptive që kanë dalë në publik.
“Ajo që protestuesit kërkojnë prej muajsh është dorëheqja e kryeministrit Rama dhe është mëse e kuptueshme pas shumë skandaleve korruptive që kanë dalë”, deklaroi deputetja.
Duke folur për vijimësinë e protestave dhe situatën e krijuar, Koçeku deklaroi se mosfunksionimi i institucioneve përbën, sipas saj, formën më të madhe të dhunës. Ajo dënoi atë që e cilësoi si dhunë të policisë ndaj studentëve, ndërsa theksoi se edhe dhuna e ushtruar nga civilët përbën shkelje të ligjit dhe se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
/vizionplus.tv




