Qëndrimi ndërkombëtar për protestat, Kthupi: Deklarata pa asgjë, askush nuk i kërkon llogari Ramës

Qëndrimin e faktorit ndërkombëtar për protestat dhe thirrjet për dialog e ka komentuar në studion e lajmeve në Vizion Plus avokati Rezart Kthupi.
Kthupi i cilësoi deklaratat diplomatike si të pamjaftueshme përballë situatës në Shqipëri.
Sipas tij, ndërkombëtarët duhet të kërkojnë llogari nga kryeministri Edi Rama dhe të marrin në konsideratë shkaqet që çuan në nisjen e protestave.
Kthupi theksoi se pas 130 ditësh protestash paqësore, të cilat sipas tij nuk u dëgjuan nga qeveria, faza e dialogut është konsumuar.
Pjesë nga intervista:
Çfarë mendoni për këtë qëndrim të faktorit ndërkombëtar?
Kthupi: Gjuhë diplomatike. Deklarata pa asgjë. Askush nuk merret me historikun e protestës, pse filloi, cilat ishin shkaqet. Në këtë vend u protestua prej 130 ditësh në mënyrë paqësore, por jo vetëm që nuk u dëgjuan, por u quajtën sorra. Parlamenti Evropian duhet t’i kërkojë llogari kryeministrit. Faktori ndërkombëtar nuk lëvizi nga vendi për t’i kërkuar llogari Ramës. E kemi konsumuar fazën e dialogut. Për çfarë të dialogojmë? Kemi kaluar në një terror policor. Nuk ka më vend për dialog, se s’ke me kë dialogon. Me policinë që dhunon një fëmijë të vogël apo që gjuan me shkop gome?
Qeveria i kishte njerëzit poshtë ballkonit për 130 ditë dhe nuk bëri asgjë për të dialoguar. Rama duhet ta kuptojë që është këtu për të qeverisur shqiptarët dhe ai duhet të dëgjojë qytetarët e vet. Dhe na vijnë këto deklaratat për të kërkuar paqe. Çfarë do të arrijnë me këtë paqe, kur deri më tani s’e bëjnë? Rama, në vend që të dëgjonte qytetarët, krijonte praninë besnike. Pse s’i nxjerr deputetët të bisedojnë me këta që protestojnë?
/vizionplus.tv




