Parku kombëtar “Lumi Vjosa” do të ketë qendër multifunksionale që do të shërbejë si një muze natyror.
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, gjatë inspektimit të punimeve njoftoi edhe për ndërhyrjen në disa zona problematike në zonën e Vjosës.
“Jemi këtu për të ndjekur punimet e një kantieri të madh që do të ketë tre vendndodhje. Qendra më e madhe është gjithashtu edhe muzeu natyror, do të jenë edhe ambientet e edukimit mjedisor, por edhe mjedise shërbimesh për turistët dhe vizitorët, ndërsa do të ketë mjedise në dispozicion edhe për studiuesit, bashkë me laboratorin si dhe mjediset e administratës. Do të ndodhen këtu. Një pjesë e këtij projekti, lidhet edhe me projektin e menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Pak më tutje ka qenë një vend depozitim aspak i pëlqyeshëm i mbetjeve të bashkisë Tepelenë i cili zhvendoset krejtësisht dhe integrohet në pjesën tjetër të projektit të menaxhimit të mbetjeve për t’i lënë vend këtu një hapësire prej rreth 3.500 metra katrorë në shërbim të vizitorëve, administratës, turistëve e studiuesve, ekspertëve të mjedisit, sidomos atyre të dashuruar me Vjosën që kanë kontribuar në pozicione të ndryshme në 10 vitet e fundit, deri sot që është Park Kombëtar. Me miratimin e planit kombëtar të menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa, do të kemi edhe ndërhyrje për rehabilitimet e disa pikave të cilat i kemi trashëgimi të një të kaluare ku aktivitete industriale që sot janë në stade pasive, do të kenë një plan rehabilitimi gradual bashkë me qendrën e Vjosës”, tha Kumbaro.
Kumbaro tha se në Vjosë nuk ka aktivitete të reja të cenojnë parkun. Parku Kombëtar i “Lumit Vjosa”, i cili përfshin edhe tre degëzimet Drino, Bënçë dhe Shushicë, përfshin një sipërfaqe prej 12,727 hektarë, në një vijë lumore prej 480 kilometrash në katër qarqe të vendit. Për këtë arsye, me Vendim të Këshillit të Ministrave është krijuar një Zyrë e dedikuar për Administrimin e Parkut Kombëtar të Vjosës, ndërsa ka hyrë në fuqi edhe plani i menaxhimit./vizionplus.tv





