Partia Socialiste ka mbledhur ditën e sotme grupin parlamentar. Siç paralajmëroi një ditë më parë kryeministri Edi Rama, mazhoranca do të depozitojë në Kuvend një nismë për të adresuar sipas tij boshllëkun ligjor të lënë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zv/kryeministren Belinda Balluku.
Rama theksoi se reforma në drejtësi ka qenë dhe mbetet një prioritet për shumicën qeverisëse dhe tha që nuk ka asnjë pendesë që e ka mbështetur, por shtoi se duhet ruajtur balanca dhe proporcionaliteti në zbatimin e ligjit.
Ai deklaroi se punonjësit e administratës nuk mund të trajtohen si “mish për top” për ambicie personale karriere dhe se askush nuk duhet të marrë “peng” një funksion kushtetues përmes interpretimeve të gjera të kompetencave procedurale. Sipas tij, nisma e propozuar synon vetëm adresimin e një boshllëku ligjor për të shmangur situata të tilla në të ardhmen.
Edi Rama: Të bësh 40 kontrolle banesash për Vitin e Ri do të thotë se s’ke asnjë ide për efektin psikologjik mbi shoqërinë, e cila është e gjitha e mbyllur në shtëpi dhe në TV ose do të shikojë këngë dhe valle, ose do të shikojë se si shkohet në banesa për çështje të 5 viteve më parë. Këto janë gjëra që janë revolucionare në një kohë revolucionare. Këtë kohë e kemi stimuluar vetë, s’kam asnjë pendesë për këtë. Shumë prej jush janë të zhgënjyer, unë jo. 100 herë të kthehesha, 100 herë do të bëja të njëjtën gjë.
Nëse s’e bënim këtë dhe nëse s’do ta vazhdojmë këtë përpjekje, nuk do të ketë kurrë drejtësi të pavarur në Shqipëri. Kjo është rruga, me të gjitha dhimbjet e veta, dhe ne duhet të bëjmë çmos të ruajmë balancën. Punonjësit e administratës nuk janë mish për top, nuk janë shënjestra për të mbushur prokurorët CV-të e tyre që të paraqiten nesër si kandidatë të ardhshëm për prokurorinë speciale (SPAK).
Është bërë e patolerueshme ajo që ndodh në prokuroritë e rretheve me fletëarrestet që shpërndahen sikur të ishin ftesa të dasmës. Një punonjëse e administratës model, që ka 5 vite që lufton me kancerin, që është me një fëmijë 2 muajsh, nuk mund të arrestohet pa pasur asnjë lidhje fare sepse institucioni prezumohet që ka lidhje me temën. Pse, ku jemi ne këtu? Tradita jonë është e tmerrshme, është armiku më i madh i shqiptarëve. Thirrja jonë e brendshme për gjak, për ta parë tjetrin me këmbët lart dhe me kokën poshtë, vjen nga e kaluara dhe është problem themelor për të ardhmen tonë. Këtë do ta mbajmë parasysh.
Nisma thjesht dhe vetëm adreson një, juristët e quajnë boshllëk, unë e quaj një problem që s’duhet t’i shkojë më në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe me verbërinë e gjykatësit, që i shkon prokurorit nga mbrapa, të marrë peng një funksion kushtetues.





