Për dy ditë e gjithë qeveria, drejtuesit e Partisë Socialiste dhe institucioneve kryesore do të mblidhen në Shëngjin.

Në nisje të 2024-ës që përveç të tjerash është edhe një vit parazgjedhor, Edi Rama do të mbledhë të tijtë për të përcaktuar përparësitë në qeveri, parti, parlament dhe administratë.

Dita e sotme  do  të nisë me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Ajo do të përqendrohet te sfidat e 2024-ës.

Pas tij radhën do ta kenë Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi. I pari për të folur për ripërtëritjen e partisë. I dyti për qëndrimet që do të mbajë shumica socialiste ndaj opozitës protestuese dhe disa projektligjeve që janë peng i 84 votave.

Administrata publike, inovacioni dhe shërbimet janë tre çështjet e para të cilat do të hidhen në tryezën e diskutimeve për të identifikuar problemet.

Pas kalimit të Kadastrës online, qeveria është në përgatitjen e një projekti për regjistrimin e pronës që do t’i prezantohet, jo publikisht, drejtuesve të institucioneve që lidhen me çështjen.

Pas dyerve të mbyllura në ditën e dytë do të mbahet mbledhja e posaçme e qeverisë. Secili prej ministrave do të përcaktojë objektivat e 2024-ës, ku pritet që shfrytëzimi i inteligjencës artificiale të jetë kryeçështja.

Përveç ministrave dhe zëvendësve të tyre, në diskutimet 48 orëshe pa prani të medias do të jetë edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryesuesit e komisioneve parlamentare dhe drejtuesit politik të 12 qarqeve.

Listës së gjatë të të ftuarve ndaj të cilëve do të kërkohet përmbushje e objektivave që Edi Rama do tu vendosë, janë edhe drejtuesit e 13 institucioneve kryesore nga Kadastra, AKSHI, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Administrata Publike e deri te Bashkëqeverisja./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *