Sot, një tjetër pacient i infektuar me koronavirus u hodh nga kati i dytë i Infektivit, duke tentuar te vetëvritet.

Për mjeken psikiatër, Arjana Rreli, të prekurit me COVID që vuajnë nga shëndeti mendor, duhet të diferencohen nga të tjerët. Sipas saj, ata nuk duhet të qëndrojnë të shtruar në katet e larta të spitalit.

E ftuar në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Rreli solli rastin e një studimi të kryer nga Universiteti i Oksfordit, ku nënvizohej se 1 në 5 persona të infektuar me COVID kanë probleme me ankthin dhe depresionin.

“Shtrimet e detyruara në spital bëjnë që personi jo vetëm të jetë i terrorizuar nga pritshmëritë që i ka ekstreme me vijueshmërin e shëndetit, në raport me këtë virus, por edhe larg familjarëve, në ambiente spitalore, ku gjendja e pacientëve të tjerë mund të jetë më i rënduar. Impakti i drejtpërdrejtë që ky person mund të ketë për të lehtësuar sadopak këtë dhimbje psikologjike që i mbivendoset edhe Covidit, bën që shpesh të jetë një ngarkesë aq e madhe sa personi të vuajë ankthin, depresionin dhe komplikacione të tilla.  Nga studimet e fundit janë gjetur lidhje direkte të Covid me problemtaika të shëndetit mendor. Një universitet i Oksfordit ka publikuar studimin shkencor, ku thuhet se 1 në 5 persona të prekur me Covid bën probleme të ankthit, depresionet dhe çrregullime të tjera mendore. Prekja me Covid është gjetur 65 për qind më e lartë në personat që paraprakisht kanë vuajtur nga probleme të shëndetit mendor. Secili duhet të bëjë thirrje brenda vetes për të lajmëruar sa më parë shenjën minimale që ka lidhje me ngarkesën emocionale që mund të çojë në sëmundje. Brenda spitaleve është vënë një staf suport që mund të jenë psikologë apo punonjës social. Duhen marrë edhe masa për sigurinë e këtyre personave. Personi që mund të ketë në historikun e tij një problem të shëndetit mendor, duhet të diferencohet nga të tjerët, mos të vihet në kate te larta. Të kërkohet edhe asistenca e mjekur psikiatër që mund të ndërhyjë me trajtimet e veta, që të parandalohen të tilla veprime.”

Sa i përket venndosjes së kangjellave në dritaret e spitaleve COVID për të parandaluar situata të tilla, mjekja e konsideron një zgjidhje të fundit që mund të merret.

“Një zgjidhje kjo mund të jetë, por një zgjidhje fundore. Për ta rikthyer spitalin në një burg. Do të ketë një pamje shumë të rëndë. Fenomeni i vetëvrasjes tashmë është bërë shumë mediatik, është kthyer në një model që papritur mund të kopjohet nga një person që ndodhet në kushte psikologjike të rënduara.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *