Subscribe

Në mbledhjen e Komitetit të Ekspertëve, ministrja Ogerta Manastirliu sqaroi arsyen e vendosjes së karantinës për të gjithë ata që hynin nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

 

Ajo tha se karantina nuk u vendos për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, por për të parandaluar rritjen e infektimeve në periudhën e festimeve të pashkës ortodokse.

 

“Komiteti i Ekspertëve ka apeluar edhe gjatë fushatës zgjedhore që të ruhen masat e distancimit dhe të shmangen grumbullimet. Ne jemi në vlerësim e sipër, situata do të vlerësohet në dinamikë në dy javët e ardhshme. Edhe pse ekspertët e kanë thënë që janë në pritje që të ketë rritje të numrit të infektimeve, ne kemi apeluar përgjatë gjithë kësaj periudhe të fushatës. Është akoma vendi për të ftuar të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë masat. Sot më shumë se kurrë, duke qenë se kemi një situatë të kontrolluar dhe të qëndrueshme, ka nevojë për ndërgjegjësim e përgjegjësi qytetare për të vijuar në këtë situatë. Dua ta theksoj se fushata jonë e vaksinimit nuk ishte një fushatë për fushatën elektorale. Fushata e vaksinimit, nisur në një kohë shumë të shpejtë dhe bërë në ritme të larta, krijon një situatë apo panoramë sot më të lehtësuar se dje, në raport me epideminë. Ne e kemi bërë hapin tonë, me vaksinimin, dhe do të vazhdojmë, pasi presim vaksina të tjera në muajt në vijim, e nuk do të ndalemi derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar. E kemi vlerësuar situatë me shumë kujdes. Periudha e festimeve të pashkës ortodokse u vlerësua se do të kishte një hyrje të atyre qytetarëve që do të vinin për të festuar, duke qenë se në Greqi e Maqedoni ka pasur rritje të madhe të infektimeve. Në vendin tonë do të kishte numër të lartë qytetarësh që do të vinin për të festuar këtu, pasi dy vendet fqinje ishin të mbyllura. Ndaj e vendosëm karantinë dhe besoj se kemi vepruar në mënyrë të drejtë”, u shpreh ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *