Të tjera dëshmi tronditëse janë dhënë në procesin gjyqësor të “Plumbit të Artë”, për lidhjet mafioze të botës së krimit si dhe autorëve të dyshuar për vrasje dhe ngjarje të rënda.
Sot ishte i penduari i tretë i kësaj dosjeje Skerdi Tase i cili tregoi për krimet e lidhura me Nuredin Dumanin dhe Erion Alibejn.
I pyetur nga prokurorët e SPAK, Tase rrëfeu për vrasjet e planifikuara me Henrik Hoxhajn, një prej tyre ishte atentati i 2017-ës ndaj Aredin Beharit.
Skerdi Tase: Me Henrik Hoxhaj jam njohur nga një shok i përbashkët, Viron Tavanxhiu, na foli për një atentat që do t’i bëhej një personi në Fier. Henriku kishte siguruar një makinë, armët dhe i ishin vënë në ndjekje. Ditën e ekzekutimit, Henriku më tha se porositësi e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë: “Pse po e vononi atë punë?” I shkuam në lokal për ta qëlluar, por ai u fut poshtë tavolinës dhe më pas brenda në lokal. Unë nuk u futa më tej, sepse isha pa doreza.
Pasi shënjestra i shpëtoi atentatit, dy miqtë bashkëpunëtorë nisën konfliktet mes tyre.
Skerdi Tase: Aredini u fut poshtë një tavoline. Më priste Henriku 100 metra më larg. Unë mendova se e kisha vrarë. Kaluam mbi “Gjanicë”, hodhëm edhe armën “Scorpion”. Debatuam që nuk u krye vrasja. Henriku më tha: “Pse e more përsipër, kur s’e bëre dot,” pasi Aredini kishte thënë emrin e porositësit në polici. Henriku më thoshte: “Çfarë punë ka ai, kur ne s’e kryem dot.” Quhej Albert Pashaj. Henriku ishte pyetur për këtë gjë. Personi që iu bë atentati kishte treguar se ku dyshonte.
Pas kësaj, Tase u shpreh se organizuan një tjetër atentat ndaj Aredin Beharit në vitin 2019.
Skerdi Tase: Në total do merrnim 80 mijë euro, pak a shumë. Ai bënte të njëjtat lëvizje që kishim vënë tek atentati i parë. Në muajin prill nga ora 9-10 e darkës, sa doli nga lokali dhe po shkonte për në shtëpi, ishte në këmbë. Iu afruam me makinë. Kur Riku qëlloi, pas 3-4 plumbave, kallashi ngeci. Henriku sërish më bëri fajtor mua, duke më thënë: “Ku e gjete këtë kallash që ngec?” E dogjëm prapë makinën bashkë me kallashin dhe u larguam.
Skerdi Tase rrëfeu edhe për atentatin e dështuar ndaj Agim Boriçit, që sipas tij ishte porositur dhe paguar nga Renato Çami. Ndërkohë Tase tha se ishte kontaktuar edhe për të vrarë vëllain e Talo Çelës, Bujarin, por sipas tij atë nuk donin që ta ekzekutonin dhe e kishin anashkaluar.





