Partia Socialiste vulos rezultatin pozitiv edhe në Kavajë, qytetin që Sali Berishës i ka dhënë disa mandate dhe ku Grida Duma shpalli sfidën e saj elektorale, por pësoi humbjen e tretë radhazi.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste Erion Veliaj së bashku me deputetët dhe ekipin fitues të kësaj Bashkie tha se fitorja ka qenë edhe më e thellë se ajo e vitit 2017 dhe për këtë falënderoi të ata që i besuan kësaj mazhorance dhe e shpërblyen me votë punën e saj në 2 mandate.

“Shumë prej jush më keni pyetur a do japësh një përgjigje çfarë thotë Grida, më keni kërkuar shpesh të jap një opinion mbi atë që thotë se nga zona e saj do fillojë fitorja. Shumë prej jush më keni pyetur për analistët që në këtë fushatë janë bërë rrogoz për politikën. Pse nuk flas për këta njerëz? Sa fituam Kavajën! Kjo është përgjigja ime për të gjithë ata që na hyjnë përditë me gjuhën e urrejtjes, me gënjeshtra, që na futen përditë në familje, për të gjithë ata që mundohen të na përçajnë, për ata që gjykojnë para kohe, japin verdikte para kohe. Jo vetëm e fituam, por e fituam edhe më shumë se në vitin 2017 Kavajën e Rrogozhinën. Durimi, puna, dashuria, bashkimi shpërblehen dhe fushata jonë pozitive është shpërblyer sot më shumë se kurrë me fitore në Kavajë e në Rrogozhinë”, u shpreh Veliaj.

Ai deklaroi se Kavaja dëshmoi më shumë se kurrë se nuk ka më kthim pas në epokën e Saliut.

“Për të gjithë ata djem e vajza të reja që ngurojnë të futen në politikë se mendojnë që te cepi do jetë një Gridë ose një Sali që do i dekurajojë, do jetë një Andi, ose një Shkullak që do i helmojë, do jetë dikush tjetër që do i dhunojë verbalisht, do i futen në familje, unë u them: merrni shembull nga skuadra jonë! Kush punon, kush përpiqet, kush i bën gjërat me dashuri e jo me urrejtje shpërblehet! Në momentin që Rama më tha dua që të marrësh këtë përgjegjësi për dy zona shumë të vështira, për dy zona që nuk kanë qenë historikisht të PS, kam njohur njerëz të mrekullueshëm, njerëz punëtorë, skuadra me energji pozitive, familjarë të rregullt, njerëz që thonë, “jo, Sali Berisha mund ta varë xhaketën ku të dojë, por Kavaja është për ata që punojnë, përpiqen, dashurojnë dhe që i bashkojnë njerëzit”. E kam zemrën plot mirënjohje për gjithë ata njerëz që thonë, përtej bindeve të gjyshit është qyteti ynë dhe sot na dhanë besimin dhe PS është numri 1 në Kavajë e në Rrogozhinë,” deklaroi Veliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *