Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shkarkua me votë unanime në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Drejtësinë Sociale të Këshillit Bashkiak të Kryeqytetit.
Mbledhja e komisionit u zhvillua pa praninë e medias dhe zgjati 70 minuta, dhe këshilltarët socialistë dhe demokratë votuan pro shkarkimit të Erion Veliajt me motivin e mungesës për 3 muaj në detyrë.
Në mbledhje, këshilltarët e opozitës kërkuan që në kërkesën për shkarkim të përfshihen edhe shkeljet që PD pretendon se Veliaj ka kryer në raport me inceneratorin e Tiranës, apo çështje si dosja 5D, si dhe këmbëngulën që Erion Veliaj duhet të dëgjohet sot në Këshillin Bashkiak.
“Eshte e drejta ligjore që të dëgjohet, siç është e drejta jonë t’ia themi në fryrë korrupsionin e tij, s’duam t’ia themi me korrespondenca mediatike, por t’ia themi aty në sallë. Duam që ta zhveshim nga çdo instrument që ta përdorë nesër që ta quajë nul këtë vendim thjesht për faktin se nuk e kemi dëgjuar atë. Largimi i tij ka qenë objektivi ynë politik, sot erdhi dita dhe do ta miratojmë, por duam që procedura të jetë e saktë”, tha Dorian Teliti.
Në orën 15:00 mblidhet Kryesia e Këshillit Bashkiak, që do të përcaktojë kohën e debatit për secilin kamp politik, dhe në orën 16:00 do të mblidhet Këshilli Bashkiak.
Nuk priten surpriza në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, dhe pritet që të majtë e të djathtë të votojnë për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në 10 shkurtin e këtij viti.
Pak ditë më parë, SPAK mbylli hetimet dhe çështja tashmë është në gjykatë.
Pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria, ndaj kryebashkiakut në detyrë rëndojnë 5 akuza: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “fshehje e mosdeklarim i pasurisë” dhe “futje e sendeve të palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”.
Më 29 shtator, Erion Veliaj për herë të parë do të dalë si i pandehur përpara Gjykatës së Posaçme./vizionplus.tv





