Subscribe

Partia Socialiste pritet të depozitojë këtë javë në Parlament, amendamentin për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim zgjatjen e mandatit të vetting-ut. Në përfundim të konferencës së kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla ka preferuar që këtë ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit ta trajtojë si çështje teknike, edhe pse Partia Socialiste ka nevojë për votat e opozitës për ta miratuar.

 

“Unë e konsideroj një çështje tepër teknike tek e cila politika duhet të rrijë larg, në kuptimin e rëndësisë së procesit të vettingut që ka ecur mirë. Askush prej nesh të mos e politizojë. Ta mbajë si çështje teknike, si nevojë e vijimit të reformës në drejtësi. Nuk ka asnjë lloj ‘pazari’ sepse kjo është një çështje që unë e konsideroj të një rëndësie të veçantë, ku secili prej ne deputetëve duhet të marrë përgjegjësinë që i takon”, deklaroi Balla.

 

Por edhe pse socialistët deklarojnë se po punojnë për zgjatjen e vetting-ut deri në 2024, demokratët këmbëngulin se nuk kanë asnjë propozim as nga mazhoranca, e as nga faktori ndërkombetar.

 

“Ne nuk kemi marrë asnjë propozim nga askush për vetingun. Ne do të kemi qëndrim kur të kemi një propozim, të rëndësishme për ne janë interesat e shqiptarëve. Strategjitë si do të negociojmë do të paraqiten në momentin e duhur. Ne jemi të gatshëm, e ripërsëris që nuk kemi marrë ndonjë kërkesë deri më tani, por jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje që u takojnë interesit të shqiptarëve si sistemi zgjedhor”, tha Rushaj.

 

Ndryshimet kushtetutese të miratuara në vitin 2016 parashikojnë që pas 5 viteve, vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kryejnë Keshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Por, kur kanë mbetur dhe pak muaj nga pëërfundimi i mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Bashkimi Evropian dhe Partia Socialiste gjykojnë se ky mandat duhet zgjatur. E vetmja që ende nuk ka një përgjigje për këtë çështje është Partia Demokratike, e cila ligjin e vetting-ut në vitin 2016 e ka goditur në Gjykatën Kushetutese dhe që gjatë viteve të fundit nuk i ka fshehur kritikat për punën e organeve të vetting-ut.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *