“Provokacia 2”, Serbia ankohet për “shqiponjën” e Xhakës dhe Shaqirit

Fitorja ndaj Serbisë nuk ishte vetëm e Zvicrës por më shumë e shqiptarëve. Atmosfera në Prishtinë ka qënë fantastike. Festime madhështore ka patur edhe në Kaliningrad, aty ku u zhvillua ndeshja por edhe në shumë vende të tjera. Përtej festës janë regjistruar edhe moment tensioni. Në Vjenë raportohet se ka pasur incidente, ku disa tifozë serbë kanë vandalizuar qytetin. Mësohet se serbët kanë nisur të gjuajnë me shishe qelqi nëpër rrugët e kryeqytetit austriak dhe kanë thyer disa dritare, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka dhuruan një lojë spektakolare, e cila nuk mundi t’i shpëtonte as ngjyrimeve politike. Dy golashënuesit zviceranë me origjinë shqiptare festuan me simbolin e shqiponjës, e ky gjest sigurisht nuk ka kaluar pa komente. Mediat britanike shkruajnë se imitimi i shqiponjës me dy koka ka provokuar mjaft në Serbi duke bërë që kjo e fundit të kërkojë dënimin e sportistëve nga FIFA për shkelje të rregullores. “The Times” i ka kushtuar një shkrim të gjatë kësaj përballjeje me titullin “Kosovaro-zviceranët dhe një ndeshje urrejtjeje kundër serbëve të zemëruar”. Aty nënvizohet se edhe vendimi i Shaqirit për të mbajtur flamurin e Kosovës në atlete është konsideruar si “provokuese” në Serbi.
serbia
“Mirror” gjithashtu shkruan se të dy lojtarët mund të kenë telashe me FIFA-n për shkak të gjestit të tyre pasi ai mund të interpretohet “me motive politike” dhe kjo është e ndaluar. Mbetet për tu parë nëse do të ketë sanksione nga FIFA për dy shqiptarët. Mediat serbe kërkuan menjëherë ndërhyrjen e FIFA-s, por ende nuk është e qartë nëse do të ketë një qëndrim zyrtar për këtë çështje. Pas fitores trajnerit të kombëtares zvicerane, Vladimir Petkovic iu kërkua të komentonte gjestet por përgjigja e tij ishte kjo:
“Ju nuk duhet të përzieni kurrë futbollin me politikën. Janë emocione. Ishte një atmosferë e mrekullueshme dhe kjo duhet të mbështetet. Ne të gjithë duhet të qëndrojmë larg politikës në futboll dhe të fokusohemi tek ky sport si një lojë e bukur dhe që i bashkon njerëzit”.
Me sa duket jehona e festes se shqiptareve duke imituar shqiponjen ne stadiumin e Kliningradit do te vazhdoje gjate.




