“Protestuesit të vetëpërmbahen”, delegacioni i BE reagon për protestat: Dhuna nuk ka vend në demokraci

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar sërish për protestat e ditëve të fundit, duke dënuar përshkallëzimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.
Në reagimin e tij, delegacioni u ka bërë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin aktet e dhunshme, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike.
“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore europiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”, thuhet në reagim.
Delegacioni i BE-së thekson gjithashtu rëndësinë e dialogut konstruktiv mes të gjitha palëve, duke e cilësuar atë si rrugën e vetme për adresimin e shqetësimeve legjitime.
“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, thuhet në reagimin e plotë.




