Që në fillim të nëntorit të vitit të shkuar, banorët në Unazën e Re nisën protestën kundër prishjes së banesave të tyre.
Protesta e cila mori mbështetjen e Partisë Demokratike, u kthye në një ritual. Çdo ditë, unaza e madhe e Tiranës bllokohej ne orët e pasdites.
Kundërshtimi i banorëve për prishjen e shtëpive arriti kulmin më 22 Nëntor para Kuvendit. Protestuesit ushtruan dhunë ndaj oficerëve, duke gjymtuar efektiven Ina Nuka e duke plagosur të paktën 15 policë.
Pas kësaj, në prangat e policisë u vunë 11 protestues.
Ndonëse të arrestuarit u akuzuan për dhunën e ushtruar në protestë, gjykata u zbuti ndjeshëm masën e sigurisë. I vetmi që mbeti në burg ishte Dorian Protoduari, i cili u lirua më pas në apel, ndërsa për 10 të tjerët u caktua detyrim paraqitje.
Pak ditë më pas u arrestua edhe 18 vjeçari Daniel Drobaj, personi që hodhi kapsollën ndaj oficeres Ina Nuka.
Deri më tani, Drobaj është i vetmi që ndodhet në qeli nga të gjithë protestuesit e Astirit.
Edhe nga protestuesit e opozitës, e cila po proteston prej më shumë se një muaji, pjesa më e madhe e të arrestuarve, tashmë kanë lënë qelitë.
Që prej muajit shkurt, opozita ka zhvilluar 7 protesta para kryeministrisë dhe kuvendit.
Më masivja ishte në 12 shkurt, ku protestuesit shkatërruan derën e kryeministrisë dhe disa objekte të tjera. Pas kësaj, u arrestuan 19 persona, 5 nga të cilët ndodhen edhe sot në qeli, mes të cilëve edhe ish kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha.
Vizion Plus mëson se deri më tani, vetëm për protestën e Astirit janë proceduar 101 protestues, nga të cilët ndodhet në burg vetëm Daniel Drobaj.
Ndërsa për protestën e opozitës janë arrestuar gjithsej 46 persona. Vetëm për 12 prej tyre gjykata ka caktuar arrest me burg dhe për të tjerët, arrest shtëpie e detyrim paraqitje.
Gjithsej janë proceduar 48 protestues, mes të cilëve edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Ndërsa disa nga të arrestuarit janë përsëritës të së njëjtës vepre penale.
Një nga rastet është ai i Dorian Protoduarit, i cili së fundmi u arrestua dhe ndodhet në burg për protestën para kuvendit.