Opozita do të zhvillojë protestë kombëtare kundër qeverisë në datën 24 janar.
Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që të shtunën e 24 janarit të nisin protestat për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
“Duhet të jemi shumë të ndershëm dhe të kthjellët…. rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është kalimi në protestë të vazhdueshme”, tha Berisha.
Sipas Berishës, në kushtet kur Parlamenti as nuk mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për imunitetin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, nuk ka rrugë tjetër për opozitën përveç sheshit.
“Vetëm një autokrat, një diktator autokrat mund të imagjinojë, mund t’i lejojë vetes veprimet që i lejoi Edi Rama në rastin Balluku, që është faktikisht rasti Rama. Në historinë e këtij shteti, 35 vitet e fundit, nuk ekziston asnjë rast i vetëm që të jenë refuzuar kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit”, u shpreh ai.
Berisha bëri përgjegjës kryeministrin Rama dhe qeverinë për situatën e krijuar me përmbytjet në disa zona të vendit.
“Dhe cinizmi ekstrem, mbledh komitetin e emergjencës dhe nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe deklaron se kjo kërkesë e opozitës na përçan. Po si të përçan? Ti je i detyruar të kesh një ligj, je i detyruar të shpallësh gjendjen e emergjencës dhe kjo të detyron të krijosh fond emergjencash dhe t’i adresosh drejt qytetarëve”, deklaroi Berisha.
PD prej kohësh ka vendosur që protestat do të jenë shtylla kryesore e aksionit opozitar deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
/vizionplus.tv





