Protestat e dhunshme, Alibeaj në Vizion Plus: Ja çfarë na çoi në këtë situatë

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj ka bërë një analizë të thellë të situatës kritike që po kalon Shqipëria prej shtatë ditësh tashmë.
I ftuar në studion e edicionit maratonë të lajmeve në Vizion Plus, të moderuar nga Aleksandër Furxhi, Alibeaj tha se kushtet ekonomike, mungesa e një shteti social, padrejtësitë, por edhe mungesa e rotacionit, janë disa nga arsyet që çuan shqiptarët në protestë.
Pjesë nga biseda:
Furxhi: Për katër muaj apo më shumë, protesta u manifestua kryesisht në mënyrë paqësore. Më 13 tetor kaluam në dhunë. Pse?
Alibeaj: Ka disa kënde analize. I pari është se, për katër muaj, që nga 31 maji i këtij viti, kemi pasur protesta masive dhe të qëndrueshme. Të gjithë ata njerëz që ishin në protestë, pavarësisht se ishin paqësorë, nga ana e qeverisë u ndeshën me një mur shurdhërie dhe verbërie.
Elementi tjetër është edhe më i thellë se kaq dhe shtrihet përtej katër muajve të protestave paqësore. Arsyet ekonomike janë të parat. Unë besoj se kur njerëzit dalin në shesh dhe marrin kurajën të demonstrojnë në këtë mënyrë, ekziston një arsye e fortë ekzistenciale. Nuk flasim vetëm për studentët. Te këta studentë janë sintetizuar të gjitha problemet familjare, mungesa ekonomike, e shpresës dhe e sigurisë.
Të akumuluara te një brez i ri, me një kulturë tjetër dhe me një botë globale, këto janë arsyet thelbësore që kanë çuar në përshkallëzim.
Furxhi: Ky presion ekonomik dhe vështirësia e të rinjve për të jetuar, në njëfarë mënyre, u përpoqën t’i përgjigjeshin nga qeveria me disa masa ekonomike, si rritja e rrogave. A nuk kanë qenë këto masa të mjaftueshme?
Alibeaj: Këto duket qartë që kanë qenë të pamjaftueshme. Thelbi, për mua, janë arsyet ekonomike. Qenia njerëzore mendon se si mund të jetë situata kaq e vështirë.
Në një vend si ky i yni, ku politika e madhe dhe e vogël bën të vetën, kam përshtypjen se kjo pjesë e re e shoqërisë, dhe jo vetëm ajo, sheh edhe një arsye tjetër: shteti shqiptar nuk u jep mundësinë për të ndryshuar situatën.
Shteti shqiptar, në këto 30 vite, nuk ka qenë gjithmonë brilant, por të paktën deri në vitin 2013, rotacionet politike kanë ekzistuar dhe ka pasur një zgjidhje të natyrës politike. Nga viti 2013 e këtej, Rama dhe mazhoranca janë ende në pushtet.
Jo vetëm kaq, por edhe me një mbështetje formale gjithnjë e në rritje. Mandati i katërt, me 82 mandate, është një lloj atipizmi. Ekonomia duhet të shkëlqente.
Të paktën në pesë apo gjashtë vitet kur reforma në drejtësi po jepte frytet e veta, pritshmëritë e njerëzve u rritën. Pra, u rritën pritshmëritë dhe, nga ana tjetër, u demonstruan defektet e mëdha të kësaj qeverisjeje. Të gjitha këto, të mbledhura bashkë, na çuan në këtë situatë.




