Protestat dhe dhuna, reagon Arqipeshkvi i Shkodrës: Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës

Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, Giovanni Peragine, u është drejtuar me një mesazh shqiptarëve, protestuesve dhe politikës pas trazirave dhe përplasjeve të dhunshme të pesë ditëve të fundit.
Në mesazhin e tij, Peragine thekson se protesta është një e drejtë qytetare dhe se zëri i protestuesve duhet të dëgjohet, por asgjë nuk mund të justifikojë dhunën.
Ai ka bërë thirrje që, përmes dialogut politik, të gjendet një zgjidhje.
Reagimi i plotë:
Protestat e këtyre ditëve dëshmojnë pa dyshim një pakënaqësi të thellë shoqërore, që nuk mund të shpërfillet.
Për katër muaj, një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër një sistemi që favorizon disa dhe penalizon shumë të tjerë, por zëri i tyre nuk ka gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura.
Kjo nuk e justifikon dhunën, e cila duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë, por nxjerr në pah përgjegjësinë e autoriteteve për të dëgjuar qytetarët, për të hapur rrugë dialogut dhe për të trajtuar me vendosmëri shkaqet e pakënaqësisë. Vetëm përmes drejtësisë, barazisë dhe dialogut të sinqertë mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, ku askush të mos ndihet i përjashtuar dhe ku e mira e përbashkët të mbizotërojë mbi çdo interes personale.
Përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete. Asnjë interes privat nuk mund të vihet mbi të mirën e vendit dhe asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë detyrimin për t’u dhënë përgjigje qytetarëve.
Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë.
Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj.




